Gjykata e Pejës merr një vendim për gruan që po kërkohej nga INTERPOL-i

  • E.K /
  • 10 February 2022 - 14:08
Gjykata e Pejës merr një vendim për gruan që po kërkohej nga INTERPOL-i

Gjykata Themelore e Pejës ka caktuar masën e paraburgimit për Sh.T., në pritje të ekstradimit, e cila është e kërkuar nga shteti norvegjez përmes INTERPOL-it.

Në njoftimin e Gjykatës bëhet e ditur se e pandehura në vitin 2003 është dënuar në Norvegji me 12 vite burgim dhe 40 mijë krona, për veprën penale “Trafikim me lëndë narkotike”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, pas shqyrtimit të propozimit të prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit në pritje të ekstradimit ndaj të pandehurës SH.T, konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, meqë njoftimet e Interpolit tregojnë se e pandehura në vitin 2003 është dënuar nga gjykata e shtetit të Norvegjisë me dymbëdhjetë (12) vjet burgim dhe dyzetmijë (40.000) NOK për veprën penale trafikim me lëndë narkotike nga neni 162 par.1 dhe 3 të Kodit Penal Norvegjez dhe e njëjta që nga ajo kohë është arratisur nga Norvegjia me qëllim që t’i shmanget ekzekutimit të dënimit, ashtu që gjykata ka vlerësuar se me gjetjen e saj në liri, mundësia e arratisjes është më se evidente dhe e mundshme andaj, të njëjtës iu caktua masa e paraburgimit në pritje të realizimit të procedurave të mëtejme të ekstradimit të saj në Norvegji, për ekzekutim të dënimit me burgim”, ka bërë të ditur Gjykata Themelore e Pejës.

(Kosova Sot Online)