Human Rights Watch paralajmëron një strategji ruse për krime të luftës në Ukrainë

  • A.P /
  • 22 February 2022 - 16:53
Human Rights Watch paralajmëron një strategji ruse për krime të luftës në Ukrainë

Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch ka nxjerrë në pah rekordin e Rusisë për bombardimin e infrastrukturës civile në konfliktin e Sirisë dhe ka shprehur frikën se “strategjia e krimeve të luftës” mund të përsëritet në Ukrainë nëse konflikti përshkallëzohet më tej, raporton The Guardian.

Shefi i HRW, Kenneth Roth paralajmëroi se rajoni mund të jetë “në prag të një konflikti të rëndësishëm të armatosur” dhe se duke pasur parasysh sjelljen e fundit të Rusisë gjatë luftës civile të Sirisë, kjo është një perspektivë thellësisht shqetësuese

Duke folur me gazetarët gjatë një konference me video, Roth tha se qeveria siriane dhe aleati i saj rus “treguan shpërfillje të pashpirt” për jetën civile në fund të vitit 2020, ndërsa ata përpiqeshin ta rimerrnin provincën Idlib dhe zonat përreth në Sirinë veriperëndimore.

Fushata e bombardimeve gati njëvjeçare në Idlib “na jep një ndjenjë sesi ushtria ruse ka luftuar kohët e fundit”, tha Roth, duke shtuar se bombarduesit rusë “po sulmonin qëllimisht institucionet civile në përpjekje për ta bërë jetën e tyre të pajetueshme dhe për ta bërë më të lehtë për ushtrinë siriane që të futet brenda”.

Gjatë kësaj kohe, tha ai, presidenti rus Vladimir Putin “kishte përgjegjësi komanduese” dhe u kishte dhënë nderime të larta “komandantëve që po mbikëqyrnin këtë strategji për krimet e luftës”.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar se kjo strategji e krimeve të luftës mund të përsëritet në rastin e Ukrainës nëse atje shpërthen konflikti i armatosur”, tha Roth.


(Kosova Sot Online)