Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që vendosi granatë dore në oborrin e shtëpisë së rahovecasit

  • E.K /
  • 23 February 2022 - 11:28
Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që vendosi granatë dore në oborrin e shtëpisë së rahovecasit

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj të pandehurit A.B, i dyshuar se ka kryer veprën penale kanosje dhe armëmbajtje pa leje.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo gjykatë, ku thuhet se vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia.

Sipas këtij vendimi, të dyshuarit masa e paraburgimit do t’i llogaritet prej kohës së arrestimit 21 shkurt 2022 dhe mund të zgjasë deri më 21 mars 2022.

Tutje thuhet se gjyqtari Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin, ngase “kemi të bëjmë me vepër penale të rëndë, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe rreziku i ikjes”.

“Sipas kërkesës, “me datën 21 shkurt 2022 në fshatin Drenoc Komuna e Rahovecit, i pandehuri A. B., seriozisht kanos të dëmtuarin B. G., në atë mënyrë që natën kritike rreth orës 02:10 min të mëngjesit, pasi e kishte thirre në telefon por që nuk kishte marrë përgjigje nga i dëmtuari, me automjetin e tij i shkon tek shtëpia ku pasi parkohet, ka dal nga vetura dhe ka gjuajtur në oborrin e të dëmtuarit një granat dore duke e thirre sërish në telefon, ashtu që me të dal i dëmtuari nga shtëpia, i njëjti e kanos me armën që e mbante në dorë”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer dy vepra penale, ” Kanosja” në vazhdimësi dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Në njoftim thuhet se palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /BetimipërDrejtësi

(Kosova Sot Online)