Gjuajti me armë në aheng familjar, aktakuzë kundër burrit nga Prizreni

  • E.K /
  • 28 February 2022 - 12:44
Gjuajti me armë në aheng familjar, aktakuzë kundër burrit nga Prizreni

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.Ç., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sipas aktakuzës, me datë 14.10.2021 rreth orës 20:00-20:30 në fshatin Kojushë – Komuna e Prizrenit, është gjetur se posedon një (1) pistoletë të tipit “Zastava”- M 57 të kalibrit 7.62 mm, dhe një (1) karikator pa municion, në kundërshtim me lejen e lëshuar të armës dhe me ligjin e zbatueshëm për armët.

“Po ashtu, i pandehuri me datë kohë dhe vend të njëjtë e përdorë armën në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, në atë mënyrë që në një aheng familjar, me pistoletën e tipit “Zastava”- M 57  shkrep në ajër 5-6 herë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

“Me këto veprime, i pandehuri A.Ç., ka përmbushur elementet e veprave penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” sipas KPRK-së. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet tutje në njoftim.

(Kosova Sot Online)