Inspektorati i Tregut i ka mbyllur dy depo pas rritjes drastike të çmimeve

  • A.P /
  • 10 March 2022 - 22:45
Inspektorati i Tregut i ka mbyllur dy depo pas rritjes drastike të çmimeve

Inspektorati i Tregut i ka mbyllur dy depo të operatorëve ekonomikë, pas rritjes drastike të çmimeve të produkteve bazë të ushqimit.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku thuhet se gjatë aksionit të sotëm janë mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë në Fushë Kosovë dhe Graçanicë.

Një litër vaj u shit sot në Kosovë me çmim 3.49 euro, derisa kryeministri Albin Kurti, gjatë një konference për media, tha se sot çmimi i një litri vaj në Kosovë ka qenë më i larti në botë.

Po ashtu, gjatë ditës ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se është duke përcjellë me shqetësim ngritjen e çmimeve të disa produkteve bazë, gjë për të cilën ajo thotë se do të ndiqen penalisht bizneset që veprojnë kësisoj.

Ministrja gjithashtu është shprehur se gjendja është nën kontroll dhe se nuk ka vend për panik.

Kjo rritje drastike e çmimeve nxiti reagime të shumta në vend.

Se ka manipulim me çmimet e vajti e ka pranuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo sot i ka bërë thirrje prokurorisë që të fillojë hetimet.

Haxhiu ka rikujtuar se kurdisja dhe orkestrimi i çmimeve është vepër që sanksionet me burgim deri në 5 vite dhe gjobë shtesë.


(Kosova Sot Online)