Sot pritet të nis gjykimi për korrupsion ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha

  • E.K /
  • 17 March 2022 - 09:00
Sot pritet të nis gjykimi për korrupsion ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha

Sot pritet të nis gjykimi për korrupsion ndaj Dhurata Hoxhës, ish-ministre e Integrimeve Evropiane, Kushtrim Cukajt, ish-sekretar dhe tre të tjerëve, Fitim Mustafa, Demush Shasha e Nuhi Osmani.

Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2021 ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj Hoxhës Cukaj, Mustafës, Shashëse Osmanit.

“Gjykata e Apelit e Kosovës- Departamenti Special, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore në ankesa, gjeti se ankesat janë të pabazuara”, thuhej në vendim të Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special në tetor të këtij viti, kishte refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të ushtruar nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Në vendimin e Apelit thuhet se e njëjta ka vlerësuar që gjykata e shkallës së parë në vendimin e saj ka vlerësuar në mënyrë të drejtë kërkesat e paraqitura nga mbrojtësit dhe ka dhënë arsye të mjaftueshme se aktakuza e ngritur nga PSRK-ja ekziston dyshimi bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kjo gjykatë ka gjetur si të pabazuara pretendimet ankimore të mbrojtësve të pandehurve, sa i përket elementit të dashjes, motivit, dijenisë.

Kjo pasi sipas saj në këtë fazë ekzistimi i provave të siguruara gjatë procedurës hetimore ka krijuar dyshimin e bazuar mirë edhe për aspektet subjektive të veprave penale.

“Po ashtu në aktin akuzues përshkruhen qartë natyra e pozitës, funksionit e detyrave të kryera nga ana e të pandehurve nga të cilat derivojnë edhe aspektet e rëndësishme për të provuarit e tipareve jo objektive të veprave penale që janë objekt i aktakuzës”, thuhet në vendim.

Apeli ka vlerësuar se në këtë fazë vlerësohen provat vetëm sa i përket standardit procedural të ekzistimit të dyshimit të bazuar mirë, i cili sipas saj në rastin konkret plotësohet dhe rrjedh se të pandehurit janë të përfshirë në veprime inkriminuese të theksuara në aktakuzë.

Andaj sipas Apelit, pretendimet tjera lidhur me fajësinë apo pafajësinë do të trajtohen në shqyrtim gjyqësor pas vlerësimit gjithëpërfshirës të provave në tërësi.

(Kosova Sot Online)