
Ky është numri i personave nga TMK dhe FSK, që përfitojnë nga skemat pensionale

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në periudhën janar-shkurt të vitit 2022, janë 1 mijë e 233 përfitues nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe 630 përfitues nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Më bazë të Ligjit Nr. 04/L-084, përcaktohet Ligji për pensionet e pjesëtarëve të FSK’së
Ky ligj përcakton të drejtën në pension për pjesëtarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe familjarët e tij, si dhe llojet e pensioneve.
Në këtë ligj janë të rregulluara tre lloje të pensioneve, të FSK’së por edhe të TMK’së. Këtu hynë: Pensioni i rregullt, pensioni invalidor dhe pensioni familjar.
Përfituesit e pensioneve të përcaktuara me këtë ligj janë: pjesëtari aktiv i FSK’së, i cili përmbush kriteret e parapara në nenin 6 të këtij ligji; pjesëtari i Rezervës së FSK-së, i cili përmbush kriteret e parapara në nenin 9 të këtij ligji; familjarët, të cilët i përmbushin kriteret e parapara në nenet 13, 16 dhe 19 të këtij ligji.
Pjesëtari aktiv i FSK’së fiton të drejtën në pension të rregullt, nëse koha e tij e shërbimit, si pjesëtar aktiv i FSK’së, është së paku njëzet (20) vite dhe ka mbushur moshën pesëdhjetë (50) vjeçare si nënoficer dhe pesëdhjetë e pesë (55) vjeçare si oficer.
Pjesëtari aktiv i FSK’së, i cili ka shërbyer në TMK e fiton të drejtën në pension të rregullt të FSK’së: pasi të ketë përmbushur shërbimin tre (3) vjeçar në FSK dhe me Vendim të Ministrit të
FSK-së të bazuar në kriteret e akteve të brendshme të shërbimit në FSK, si dhe në pajtim me mundësitë vjetore financiare të Buxhetit të Republikës së Kosovës; ose me arritjen e moshës pesëdhjetë (50) vjeçare si nënoficer dhe pesëdhjetë e pesë (55) vjeçare si oficer.
Sipas ASK’së, në statistikat e Mirëqenies Sociale në periudhën janar-shkurt 2022, nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës ishin 1 233 përfitues; nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës ishin 630 përfitues.
(Kosova Sot Online)