Pas djalit, Bidenit i dalin telashe edhe me vëllain

  • E.K /
  • 07 April 2022 - 10:47
Pas djalit, Bidenit i dalin telashe edhe me vëllain

Vëllai i Joe Biden është akuzuar nga republikanët se ka lidhje me marrëdhëniet e dyshimta të djalit të presidentit amerikan, Hunter, me një kompani kineze, raporton A2CNN.

Sipas dokumenteve të publikuara nga senatori Chuck Grassley, i cili është pjesë e komisionit të ligjeve në Kongresin amerikan, James Biden ka marrë një pagesë mujore prej 65 mijë dollarësh në vitin 2018, nga një grup konsultimi i lidhur me kinezët, për një total prej 780 mijë dollarësh. Paratë i janë dhënë kompanisë së James, “Lion Hall Group”.

Ndërkohë, e njëjta frimë, e cila ka lidhje me partinë komuniste kineze, ka paguar Hunter plot 100 mijë dollarë në muaj, po në vitin 2018, si dhe një bonus prej 500 mijë dollarësh.

Senatori Grassley i quajti shumë shqetësuese këto gjetje. “Kemi persona që mbajnë mbiemrin Biden, të cilët bëjnë marrëveshje me biznesmenë kinezë që kanë lidhje me Partinë Komuniste të Kinës”, tha ai për CBS.

Akuzat e reja vijnë dy vite pas dokumenteve të zbuluara në kompjuterin e djalit të Biden, Hunter. Disa prej këtyre dokumenteve, të publikuara nga mediat amerikane “New York Times” dhe “Washington Post”, treguan se familja Biden kishte marrë një shumë prej 5 milionë dollarësh nga kompania kineze e naftës CEFC, e lidhur me qeverinë e Pekinit./A2CNN

(Kosova Sot Online)