Deklarohen nga ZRRE-ja pas bllokimit të shtrenjtimit të energjisë nga Gjykata

  • E.K /
  • 09 April 2022 - 12:47
Deklarohen nga ZRRE-ja pas bllokimit të shtrenjtimit të energjisë nga Gjykata

Zyra e Rregullatorit të Energjisë do të ankohet në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për të shtyrë ekzekutimin e vendimit për shtrenjtimin e rrymës.

Kështu ka deklaruar kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, i cili ka shtuar se ende nuk kanë marrë vendimin e Gjykatës së Prishtinës.

“Ne ende nuk e kemi pranuar vendimin, por sapo ta kemi atë ne do të apelojmë vendimin e Gjykatës Themelore në përputhje me këshillën ligjore. Vendimi i ZRrE-së për të caktuar të hyrat maksimale dhe tarifat e energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Fejzullahu për Nacionalen.

Gjatë ditës së sotme FrontOnline publikoi dokumentin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ky shkruhej se  është vendosur masë të përkohshme ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022 i publikuar më datë 16.02.2022 i të apditurës Zyra e Rregullatorit për Energji me seli në Prishtinë derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditëses”.

Më 9 shkurt 2022 kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike, të cilat janë më të shtrenjta për 100% për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat/ orë në muaj. Kjo sasi e energjisë shpenzohet nga shumica e konsumatorëve që nuk kanë burime tjera të ngrohjes përpos rrymës.

Ndërkohë, që Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se sot në mesditë do të mbajë konferencë për media. Siç bëhet e ditur nga kjo parti në konferencë do të flasin tre zyrtarë të kësaj partie: shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kryetari i komisionit për energji, Ferat Shala e Blerand Stavileci.

Kujtojmë se PDK-ja më 18 mars kishte njoftuar se e ka paditur Zyrën e Rrregullatorit të Energjisë.

“Vendimi i ZRRE-së, meriton shqyrtim gjyqësor në gjykatën kompetente, pos tjerash, edhe për faktin e mos përfshirjes në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike – të katër komunave veriore, duke diskriminuar kështu qytetarët e pjesës tjetër të vendit. ZRRE, duke mos përfshirë në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike, katër komunat veriore, përveç diskrimimit mbi bazën e vendbanimit, ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në cenimin e parimit të sundimit të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të shtetit. Vendimi i kontestuar, po ashtu ka të meta në pikëpamje të plotësimit të kushteve ligjore të procedurës administrative të cilat sigurisht do të argumentohen dhe provohen në procedurën kontestimore në Gjykatë”, thuhej në njoftimin e PDK-së.

(Kosova Sot Online)