Dalin rezultatet e analizave për ushtarët e FSK’së që patën telashe pas një syfyri në kazermë

  • E.K /
  • 14 April 2022 - 11:38
Dalin rezultatet e analizave për ushtarët e FSK’së që patën telashe pas një syfyri në kazermë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka gjetur se pesë ushtarët e FSK’së nuk janë helmuar nga ushqimi që kishin ngrënë për syfyr në Mensën e FSK’së në Gjilan.

Në një përgjigje  nga IKSHP’ja kanë thënë se s’janë gjetur bakterie patogjene që shkaktojnë helmim, por se në mostrën e sallatës janë gjetur baktere të gjalla.

“Analizat mikrobiologjike, respektivisht rezultatet e koprokulturës kanë rezultuar pa bakterie patogjene të cilat shkaktojnë helmim me ushqim. Në mostrën e sallatës është identifikuar numri i përgjithshëm i baktereve të gjalla mezofile 3200 cfu gr/ml’, kanë deklaruar nga IKSHP’ja.

Ky institucion rekomandon që të apikohen masa më rigoroze gjatë përgatitjes së ushqimit në mënyrë higjenike dhe të raportojnë menjëherë rastet e dyshimta për helmim.

“Të gjithë operatorët ekonomik duhet t`iu përshtaten standardeve të përpunimit dhe përgatitjes së ushqimit ku në përpikëri duhet të zbatojnë procedurat e HACCP si dhe përmbushja e standardeve bazike higjienike.

Mbikëqyrja sanitare dhe pajisja me libreza sanitare për të gjithë punëtorët si dhe respektimi i instruksioneve nga inspektoratet.

Marrja e të gjitha masave higjienike të cilat do të pengonin mekanizmin fekalo-oral të përhapjes së sëmundjes duke përfshirë DDD”, janë rekomandimet e tjera.

Ndryshe, pesë ushtarë të FSK’së kanë shfaqur simptoma helmimi, para një jave, pas syfirit që kanë ngrënë në mensë. Kanë pasur dhimbje barku, por jo edhe vjellje apo jashtëqitje. 

(Kosova Sot Online)