Martin Berishaj mohon akuzat, paralajmëron padi ndaj portalit slloven

  • E.K /
  • 22 April 2022 - 09:35
Martin Berishaj mohon akuzat, paralajmëron padi ndaj portalit slloven

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Ai ka paralajmëruar padi ndaj portalit që ka publikuar skandalin.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshem në mes akterve kryesor politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kunder portalit ne fjalë, hap rrugë per fjalen e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurtë në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, ka shkruar Berishaj.

Ndryshe, mediat sllovene e kanë zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar dje, tregonte se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj, shkruan Nacionale.com.

Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

“Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro”, raporton media sllovene.

(Kosova Sot Online)