Blerja e rrymës nga GEN dhe intervencat politikanëve për punësime, çfarë tha shefi i KEK’ut?

  • E.K /
  • 27 April 2022 - 15:19
Blerja e rrymës nga GEN dhe intervencat politikanëve për punësime, çfarë tha shefi i KEK’ut?

Raportimet se KEK’u ka blerë rrymë nga kompania GEN, janë konfirmuar mbrëmë nga vetë kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrje. I ftuar në një intervistë për televizionin publik, Nagip Krasniqi ka folur edhe për konkursin në KEK, ku u raportua për punësime masive të militantëve të Vetëvendosjes. Ka zbuluar edhe se si njerëz me ndikim i kanë kërkuar që t’ju punësojë të afërm në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Nagip Krasniqi, i cili mban pozitën e Kryeshefit ekzekutiv të Korportatës Energjetike të Kosovës, e ka pranuar se kjo ndërmarrje ka blerë rrymë blerë edhe nga kompania GEN, që ka pika të saj në disa shtete të Ballkanit, por ka degën kryesore në Slloveni.

“Ne kemi blerë energji nga tregtarët që janë ofruar. Nuk mund të vendosim se cila do të afrohet. GEN ka bërë disa herë oferta dhe ajo ka pika të ndryshme. Ajo ka fituar disa herë në ankande. Në Tiranë, Beograd etj., tash nga cila pikë ofrojnë ne nuk mund t’ua diktojmë. Ne blejmë energji nga ato kompani të licencuara në Federatën Europiane”, ka thënë Krasniqi.

Kjo kompani përmendet edhe në raportimet për skandalin financiar që shpërtheu në Slloveni, ku thuhet se është përfshirë edhe Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ai po dyshohet se është i përfshirë në një skandal financiar për shpëlarje parash në Slloveni, akuza që i ka mohuar përmes një postimi në Facebook.

Sipas mediave sllovene, Berishaj dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Paparakisht, mjetet financiare, kompania MB Consulting, në pronësi të Berishajt, i kishte pranuar nga kompania GEN.

Për këtë skandal, Krasniqi s’ka pranuar të flasë.

“Nuk mund të komentoj rastin Berishaj apo ndërlidhjet tjera. Nuk e di dhe nuk është puna jonë ta dimë. Puna jonë është të kryejmë mbulimin me furnizimin të energjisë, e kur ka nevojë importojmë nga komani të licencuara edhe nga ZRRE-ja tek e fundit”, deklaroi Krasniqi.

Kryeshefi ekzekutiv i KEK’ut foli edhe për raportimet për punësime masive në këtë ndërmarrje të aktivistëve të Vetëvendosjes.

Sipas tij, njerëzit që kanë tentuar të ndikojnë për pranimin në punë në konkursin e kësaj korporate nuk kanë ngjyrim politik, por interes.

Ai e ka pranuar se deri te faza intervistuese me gojë gjithçka ka shkuar mirë, pastaj është bërë një përmbysje e rezultatit të testit me shkrim.

“Aty që duhet të pajtohem me ish drejtorin e Njësisë për politika dhe monitorim është që është e vërtet që njerëzit që ndikojnë, që kanë tentuar të ndikojnë nuk kanë ngjyrim politik, por kanë ngjyrim interesi. Njerëz të ndryshëm tentojnë të sigurojnë mënyra se si t’i punësojnë familjarët e tyre. Ajo çfarë ne kemi bërë në këtë konkurs, jemi mundu me bo një konkurs sa më transparent që është e mundur. Unë mund të them që deri te faza e intervistave me gojë që kanë qenë aty gjithçka ka shku pak a shumë në nivel të kënaqshëm. Tek intervistat me gojë, aty ka pas përmbysje të rezultateve me shkrim, atë duhet të pranojmë edhe ashtu është”, tha Krasniqi.

Tregoi se për këtë konkurs janë pranuar 230 ankesa, derisa tha se janë duke u marrë me analizën e tyre.

Tha se nëse  në procesin e intervistimit ka pasur defekte madhore atëherë konkursi do të anulohet.

Por, nëse s’ka pasur, deklaroi se do të vazhdojnë me korrigjimin deri tek riintervistimi i aplikuesve.

“Mirëpo ne nuk mund të reagojmë pas deklaratave në shtyp apo disa informatave parciale. Ne duhet të bëjmë analizë të cdo ankese dhe atë jemi duke bërë. Kemi marrë rreth 230 ankesa, dhe cdo ankesë do të shqyrtohet. Nëse ne vijmë në përfundim që numri i ankesave që janë të bazuar përfshi edhe përfshirjen e familjarëve eventual, nëse ato mund të jenë në numër të limituar e që ne mund t’i adresojmë dhe korrigjojmë  do të vazhdojmë me procesin duke i korrigjuar ato që i gjejmë si të meta në proces përfshirë edhe riintervistimin eventual të gjithë atyre personave. Nëse vijmë në përfundim që procesi i intervisitmit ka pasur defekte madhore atëherë ne do të anulojmë atë komplet”, tha Krasniqi.

Ai ka zbuluar edhe se si njerëz të politikës e biznesit janë munduar të ndikojnë tek ai që të punësojë njerëz në konkursin e KEK-ut.

Ka thënë se i refuzuar këto afrime dhe se i ka udhëzuar edhe anëtarët e komisionit ta bëjnë këtë.

“Kanë qenë njerëz nga sfera të ndryshme të jetës. Biznes, politikë etj. Normalisht që i kam refuzuar. Ndoshta kanë qenë të nisur nga praktikat që kanë ndodhur për 20 vite. I kam udhëzuar edhe anëtarët e komisionit që ta bëjnë”, ka deklaruar kryshefi ekzekutiv i KEK’ut.

(Kosova Sot Online)