Në kulmin e krizës kursimet e kosovarëve arrijnë 4.75 miliardë euro

  • E.K /
  • 30 April 2022 - 11:56
Në kulmin e krizës kursimet e kosovarëve arrijnë 4.75 miliardë euro

Qytetarët pavarësisht pandemisë dhe ngritjes së çmimeve në çdo sektorë, po tregohen edhe kursimtarë.

Vlera e kursimeve të tyre, vetëm deri në muajin mars të këtij viti, arriti vlerë rekorde 4.75 miliardë euro. Kurse fitimi i madh i bankave komerciale në Kosovë ka arritur brenda vitit 2021 mbi 100 milionë euro.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti thotë se vetëm gjatë vitit 2021 janë lëshuar 1.8 miliardë euro kredi të reja, e që sipas tij, kjo tregon edhe për mbështetjen e ekonomisë së Kosovës nga sektori bankar.

E në anën tjetër kryetari Odës së Afarizmit të Kosovës(OAK) Skënder Krasniqi ka kritikuar drejtuesit e Bankës Qendrore të Kosovës se ky institucion financiar në dy vitet e fundit nuk ka mbështetur bizneset në pandemi e as tani në këtë kohë krize të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Kryetari Krasniqi ka kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që të marrin masa ndaj Bankës Qendrore, pasi që sipas tij, BQK nuk po i mbështet bizneset e as qytetarët në këtë kohë krize.

Guvernatori Mehmeti thotë se prioritet i BQK-së mbetet që bankat të vazhdojnë të ruajnë shkallën e lartë të qëndrueshmërisë.

Sipas BQK-së, deri në muajin mars 2022, vlera totale e kredive arriti në shumën prej 3.93 miliardë euro, ndërsa për depozita 4.75 miliardë.

Profesoresha universitare, Albulenë Kastrati, tregon arsyet e rritjes së depozitave në 7.3 përqind. Ajo thotë se rritje vjetore e depozitave është për shkak të hapjes së ekonomisë pas pandemisë dhe rritjes së e remitancave në vitin 2021 në 1.15 miliardë euro.

Profesoresha Kastrati ka folur edhe për fitimin e bankave komerciale dhe arsyet e realizmit të fitimeve kaq të mëdha.

Sipas Kastratit edhe kreditë janë rritur me një trend të përshpejtuar, rritja vjetore e stokut të kredive është 18 përqind, që është rritja më e shpejtë që është regjistruar ndonjëherë në sektorin bankar në Kosovë.

(Kosova Sot Online)