Krasniqi kujton masakrën e Studimes: Drejtësia vazhdon të heshtë edhe për Sebahudinin 5 vjeçar, që sot do të ishte 28 vjeç

  • E.K /
  • 02 May 2022 - 13:39
Krasniqi kujton masakrën e Studimes: Drejtësia vazhdon të heshtë edhe për Sebahudinin 5 vjeçar, që sot do të ishte 28 vjeç

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kujtuar 2 majin e vitit 1999, kur në Studime të Vushtrrisë po ndodhte një krim makabër nga forcat serbe.

“Me 2 maj të vitit 1999, në Studime të Vushtrrisë, forcat kriminale serbe kishin marrë peng Xhemajl, Selatin dhe Shaban Gërxhaliun dhe, para syve të tyre, u kishin ekzekutuar familjarët një nga një. Atë ditë të kobshme, familjes Gërxhaliu iu ekzekutuan 36 anëtarë të familjes. Sebahudini, djali i Selatinit ishte vetëm 5 vjeç, ndërkaq, nëna e tij, Sala, ishte 85 vjeç”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Në Studime, krimet çnjerëzore të një ushtrie të etur për gjak e masakra mbi civilë të pambrojtur, vazhduan edhe mbi familjet Gërguri, Rashica, Sfarça e shumë familje të tjera, tha kryetari i PDK-së.

“116 civilë, të paarmatosur e të pafajshëm, nga të gjitha moshat e gjinitë – fëmijë, gra, burra e pleq, u ekzekutuan pa asnjë mëshirë atë ditë të kobshme”, shkroi ai.

Krasniqi theksoi se 23 vjet më pas, “drejtësia vazhdon të heshtë për të gjithë këta martirë, edhe për Sebahudinin 5 vjeçar, i cili atëkohë ende nuk kishte nisur shkollën”.

“Sot, ai do të kishte qenë 28 vjeç! Prandaj, ne nuk guxojmë të harrojmë asnjëherë vuajtjet dhe sakrificën që ka kaluar populli ynë në rrugën e lirisë. Sot, nesër dhe secilën ditë tjetër, ne do të kërkojmë drejtësi dhe ndëshkim të kriminelëve. Lavdi martirëve të Studimes!”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)