Veç sa për fotografi, Lajcak nuk pati shumë për të treguar për takimin me Kurtin e Vuçiqin

  • E.K /
  • 05 May 2022 - 11:22
Veç sa për fotografi, Lajcak nuk pati shumë për të treguar për takimin me Kurtin e Vuçiqin

Muaji korrik i vitit të kaluar ka qenë hera e dytë dhe e fundit kur Kurti dhe Vuçiq janë takuar në Bruksel. Pas takimit të dytë që kishte përfunduar me tensione dhe pa asnjë rezultat konkret, Brukseli kishte hasur në vështirësi për t’i bërë përsëri bashkë në kryeqytetin e dialogut Kurtin dhe Vuçiqin.

Emisari i BE-së për dialogun, sllovaku Miroslav Lajcak, kishte bërë disa përpjekje për të aranzhuar një takim të tretë të nivelit të lartë në Bruksel, takim për të cilin thoshte se s’do të ndodhte nëse paraprakisht palët nuk do të pajtoheshin për diçka.

Duke parë një ngërç të tillë në negociatat Kosovë-Serbi, ka ndërhyrë Berlini zyrtar. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka ftuar më 4 maj në kryeqendrën gjermane, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksander Vucic, të cilët fillimisht i ka takuar ndaraz, e më pas ia ka bërë bashkë Lajçakut në një darkë informale të mbajtur diku në periferi të Berlinit.

Megjithatë deklarimet pas takimeve kanë lënë të kuptohet se darka Kurti-Vuçiq me ndërmjetësimin e Lajçak s’ka shërbyer për asgjë. Kryeministri Albin Kurti në një prononcim për RTK-në pas darkës, ka thënë se qëndrimet e Vuçiqit janë të vjetra, se s’ka ndryshuar asgjë dhe se vazhdimi i dialogut dhe mundësia për një takim tjetër me Vuçiqin në Bruksel, do të varet nga ajo se si do të shkojnë negociatat e 13 majit Bislimi-Petkovic për targat.

“Mund të ketë takim, varësisht se si shkojnë negociatat më 13 maj”, ka thënë Kurti për RTK-në.

Ndërkohë edhe Lajçak në njoftimin pas darkës s’ka njoftuar për kurrfarë zhvillimi pozitiv, përveç asaj që është ditur prej ditësh, që shefat e grupeve negociatore do të takohen në Berlin më 13 maj për targat.

“Mirëprita mundësinë për diskutime në një darkë informale rreth dialogut me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vucic në Berlin. Mirënjohës për qeverinë gjermane që na organizoi. Ne do të vazhdojmë diskutimet në nivel të shefave negociator më 13 maj”, ka thënë Lajcak.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar në Bruksel në qershor dhe korrik 2021. Takimi i fundit ka përfunduar me përplasje dhe mospajtime gjë që ka pamundësuar një takim të tretë në Bruksel. Borell dhe Lajcak me deklarata e vizita kishin provuar që të aranzhonin një takim të tillë, megjithatë pa sukses.

(Kosova Sot Online)