Finlanda është përgatitur që moti për mundësinë e luftës, ky është qyteti-bunker nën Helsinki që mund të strehojë 900 mijë njerëz

  • E.K /
  • 14 maj 2022 - 18:04
Finlanda është përgatitur që moti për mundësinë e luftës, ky është qyteti-bunker nën Helsinki që mund të strehojë 900 mijë njerëz

Pas kërkesës së Finlandës për të aderuar në aleancën ushtarake të NATO, Kremlini ka ashpërsuar retorikën duke njoftuar për “hapa kundërpërgjigjeje” ndaj Helsinkit, prandaj zyrtarët atje duket se po përgatiten për çdo eventualitet.

Mediat reklamonin sot masën gjigante të tuneleve dhe bunkerëve bërthamorë të Finlandës  duke thënë se rreth 500 strehime nëntokësore janë gërmuar nën kryeqytetin Helsinki, që sipas tyre mund të mbajnë 900,000 njerëz – më shumë se e gjithë popullata e qytetit.

Anna Lehtiranta, shefja e komunikimeve të bashkisë së Helsinkit, tha se finlandezët nuk trazohen nga kërcënimet e Moskës.

Ajo shtonte për britaniken Daily Mail: “Si vend neutral që jemi, gjithmonë jemi përpjekur të mbrojmë veten”.

“Tunelet nëntokësore në thellësitë e Finlandës vijnë nga eksperienca jonë në Luftën e Dimrit (lufta e parë finlandezo-sovjetike) dhe nga Lufta e Dytë Botërore. Ne të gjithë kemi të afërm që i kanë vuajtur këto trauma”.

Banesat nëntokësore të Finlandës përfshijnë bare, fusha sporti, parking makinash dhe mijëra “krevate marinarësh.”

Ndërtimi i tyre nisi prej viteve 1960-të dhe më pas qeveritë e ndryshme kanë gërmuar më shumë se 9 milionë metër kub shkëmb nën vendin nordik.

Ata thonë se hyrjet e strehimeve janë vendosur me kujdes mbi tokë dhe zyrtarët shtojnë se siguria e tyre është aq e madhe sa mund të mbrojnë dhe nga shpërthimet bërthamore.

Kreu aktual i NATO-s është norvegjezi Jens Stoltenberg i cili tha se vendi është i mirëpritur në aleancë, megjithse kufizohet me atë që njihet si “armiku” tradicional i bllokut, Rusia.

Kërkesa e re ka shtuar interesin e vendasve në rrjetin kombëtar të strehimeve dhe një urgjencë të re të zyrtarëve për të siguruar që ato të jenë në gjendje funksionale në rast nevoje.

Zyrtarja bashkiake Lehtiranta shtonte: “Kemi dokumentet me listat e detyrave që njerëzit duhet të kryejnë nëse detyrohemi të qëndrojmë nën tokë për dy javë ose më gjatë”.

“Do të kemi dikasteret e drejtimit, doktorë, infermierë dhe njerëz që kujdesen për fëmijët, teksa prindërit e tyre punojnë. Njerëzit do të përdorin aftësitë e tyre të zakonshme edhe nën tokë.”

Përveç strehimeve, Helsinki ka dhe 25 stacione nëntokësore metroje që mund të konvertohen në bunkere, thonë autoritetet. Ata shtojnë se do të ketë vende për të gjithë ata që gjenden në Finlandë, duke përfshirë dhe turistët në hotele.

Kryeministrja 37 vjeçare e vendit Sana Marin thotë se edhe ajo është rritur në rrethana të ngjashme nga nëna e saj, e cila u nda me babanë e alkoolizuar, dhe më pas u kthye në homoseksuale duke u lidhur me një grua.

Kryeministrja është tashmë e lidhur me futbollistin Markus Raikkonen, me të cilin ka një vajzë dy-vjeçare.

(Kosova Sot Online)