Mustafa: Kurti e Osmani kanë zgjedhur mënyrë të gabuar, me serbët po komunikojnë përmes njësive speciale

  • E.K /
  • 02 June 2022 - 11:47
Mustafa: Kurti e Osmani kanë zgjedhur mënyrë të gabuar, me serbët po komunikojnë përmes njësive speciale

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë zgjedhur rrugë të gabuar për të komunikuar me serbët në veri.

Mustafa u shpreh se shefi i qeverisë dhe shefja e shtetit me serbët në pjesën veriore po komunikojnë përmes njësive speciale.

“Do duhej të bëhen përpjekje për të komunikuar me institucione dhe qytetarë në veri dhe jo vetëm aty. Edhe në komunat në brendësi të vendit ku ka serbë. Me gjuhën, diskursin dhe metodat me të cilat po shërbehen Presidentja dhe Kryeministri nuk shoh mundësi që kjo të ndodhë. Kanë zgjedhë rrugë të gabuar, që me serbet të komunikojnë përmes njësive speciale”, ka thënë Mustafa.

Tutje Mustafa ka komentuar edhe vizitat e presidentes Osmani nëpër komuna e që sipas tij institucioni që drejton Osmani s’mund të rregullojë ndonjë fushë që lidhet me komuna drejtpërsëdrejti.

““Punët, që i përkasin pushtetit lokal ndërlidhen kryesisht me Qeverinë. Me buxhetin, rregullimin hapësinor, administratën, sigurinë. Nuk ka ndonjë fushë që institucioni i Presidentes mund ta rregullojë drejtpërsëdrejti. Por takimet në terren, me pushtetin vendor, me qytetarë, biznese, shkolla, çerdhe, shtëpi të shëndetit, organizata e objekte sportive ….janë të nevojshme për çdonjërin. Sepse iu shërben të korrigjojnë politikat joefektive”, ka thënë ish-kryeministri Mustafa.

(Kosova Sot Online)