Avancojnë raportet Shkup-Washington, Kurti thumbohet për shkak të vizitës së Bujar Osmanit në SHBA

  • E.K /
  • 03 June 2022 - 14:57
Avancojnë raportet Shkup-Washington, Kurti thumbohet për shkak të vizitës së Bujar Osmanit në SHBA

Pas rrëzimit nga Qeveria e parë dhe pas përplasjes me Administratën amerikane të Donald Trump, në Kosovë me të madhe po kërkohej një vizitë e kryeministrit, Albin Kurti, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Opinioni Kosovar dhe sidomos partitë opozitare e përdornin një gjë të tillë si presion për shefin e qeverisë kosovare, meqë pretendonin se nuk i ka punët mirë me amerikanët dhe se s’do ta presin në Washington.

I gjendur përballë një presioni të tillë publik, Kurti që nga nëntori i vitit të kaluar kishte paralajmëruar se do të shkonte për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas disa shtyrjeve, në maj lideri i VV’së kishte fluturuar për në Amerikë, atje ku thoshte se do të rrinte gjatë, sa që në Kosovë do të pyesnin njerëzit se kur do të kthehej.

Megjithatë, takimet e para të Kurtit me pronarë kompanish e biznesesh të ndryshme, komentoheshin shumë në Kosovë, teksa opinioni kërkonte një takim të Kurtit me nivelin më të lartë politik në Washington, Departament të Shtetit apo Shtëpi të Bardhë.

Pas disa ditësh qëndrimi nëpër vende të ndryshme në Amerikë, Kurtit më 18 maj iu aranzhua një takim me këshilltarin kryesor të Joe Biden për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan. Ndërtesa ku ishte realizuar takimi dhe vendi i shkrepjes së fotografisë në Kosovë ishte diksutuar shumë. Në media ka pasur raportime se shkallët ku është realizuar fotografia e Kurtit me Sullivan gjenden në ndërtesën “Eisenhower” dhe jo në Shtëpi të Bardhë.

Një narrativë e tillë raportimi që mundohej të tregonte dallimin në mes të “White House” dhe “Eisenhower Executive Office Building”, ka nxitur edhe reagimin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili ka thënë se i vjen keq për disa raportime që po i sheh në mediat kosovare, e që sipas ambasadorit ishin “çorientuese”.

Hovenier në reagimin e tij ka thënë se ndërtesa ku është realizuar takimi mes Kurtit dhe Sullivan është në kuadër të kompleksit të Shtëpisë së Bardhë, derisa ka treguar se në po atë ndërtesë ishte pritur ish-kryeministri Hashim Thaçi nga Joe Biden si zv.president në vitin 2010.

Vetë Kurti kur është pyetur për këtë çështje pas një mbledhjeje të Qeverisë, u ka thënë gazetarëve se ambasadori amerikan e ka sqaruar se ku është takuar me Jake Sullivanin.

Por si u pritën në Washington, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, vizitat e të cilëve u realizuan brenda këtij viti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte vizituar Washingtonin në mesin e shkurtit të vitit 2022. Rama ishte pritur nga shefi i Departamentit të Shtetit, Sekretari Anthony Blinken. Kjo vizitë e Ramës në Amerikës kishte përkuar edhe me 100 vjetorin e vendosjes së raporteve në mes të SHBA-së dhe Shqipërisë.

 “Është nder të jesh me ju dhe kënaqësi që t’iu takojmë në fillim të vitit që shënon 100 vjetorin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat u ndërprenë brutalisht nga Shqipëria për të shkuar në një drejtim tjetër për më shumë se gjysmë shekulli, por ja ku jemi dhe e vlerësojmë këtë miqësi. Do të bëjmë çmos për të ruajtur këtë miqësi”, kishte thënë Rama në takim me Blinkenin në Shtëpi të Bardhë.

Për shefin e Qeverisë greke ishte rezervuar një pritje e jashtëzakonshme. Mitostakis ishte pritur në Shtëpinë e Bardhë nga numri një i Amerikës, Joe Biden. Përveç takimit zyrtar në Shtëpinë e Bardhë, më pas për Mitostakis ishte rezervuar edhe një pritje tjetër nga çifti presidencial amerikan, një organizim paksa më i relaksuar, ku edhe shkëmbeheshin shaka mes ta pranishmish.

Megjithatë kjo nuk ishte e gjitha. Për shefin e qeverisë greke ishte rezervuar edhe një fjalim në Kongresin Amerikan, mundësi kjo që nuk i jepet çdo kujt, dhe në historinë e shtetit amerikan e kanë pasur vetëm emra të mëdhenj të politikës botërore.

Ndërkohë dje në Washington është pritur edhe shefi i diplomacisë maqedonase, Bujar Osmani. Osmani është pritur në një takim të nivelit të lartë me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.

“Kënaqësi për t’u takuar me Sekretarin Blinken në Washington.Dialogu Strategjik si një moment historik i ri në marrëdhëniet tona dhe përmirësimi i partneritetit strategjik. Mirënjohje për mbështetjen e përgjithshme të #SHBA-së në rrugën tonë evropiane. Si aleatë të NATO-së ne i mbështesim fuqimisht Ukrainën dhe i bëjmë thirrje Rusisë të ndërpresë veprimet e saj ushtarake”, ka shkruar Osmani pas takimit.

Për pritjen e organizuar për shefin e diplomacisë së Maqedonisë së Veriut ka reaguar ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili është edhe nënshkruesi i Marrëveshjes së Washingtonit. Hoti në mënyrë indirekte ka thumbuar kryeministrin Kurti, duke lavdëruar vizitën dhe takimin e Bujar Osmanit me Sekretarin, Anthony Blinken.

 

https://www.facebook.com/avdullah.hoti/posts/565409014946617

(Kosova Sot Online)