Pse Srpska votoi si VV dhe çfarë foli me deputetin e tyre? Çfarë tha Kusari dhe kë e akuzoi?

  • A.P /
  • 14 June 2022 - 22:18
Pse Srpska votoi si VV dhe çfarë foli me deputetin e tyre? Çfarë tha Kusari dhe kë e akuzoi?

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar në parim projektligjin që përcakton pagën minimale. 68 deputetë votuan pro projektligjit, gjashtë abstenuan dhe nuk pati asnjë votë kundër. Deputetët nga Lista Srpska kanë votuar pro miratimit në parim të projektligjit që përcakton pagën minimale, ku nuk u përfshinë veteranët e UÇK-së, e të cilët javën e kaluar protestuan para Kuvendit të Kosovës.

Por, pse Srpska votoi si Lëvizja Vetëvendosje? Kë po e akuzon Kusari-Lila?

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, ka dalë në konferencë për media pas miratimit të projektligjit për pagën minimale, duke u munduar ta sqarojë se si votoi Srpska për ligjin që afekton veteranët.

Kusari Lila tha se ka qenë e befasuar kur e ka kuptuar se Lista Srpska do të votojë pro projektligjit, ndërsa ka insistuar se partia opozitare PDK ka bërë veprime të koordinuara me Listën sa i përket projektligjit për pagën minimale.

Ajo ka akuzuar PDK-në për veprime të orkestruara me Listën Srpska.

“Në momentin kur është ngritur një zyrtar i Listës Serbe me shikim nga pjesa tjetër e pozitës, i thash çka po ndodh, a po na numëroni për me ditë sa jemi, tha: jo po e shikoj ku e kam kartelën se po ma ndryshojnë vendin. Kjo është tërë biseda. Unë jam befasu kur mua më thanë kolegët e mij se po voton Lista Serbe, dhe në atë moment e kom kthy kokën nga ekrani, ekrani kishte lëvizur në pamje dhe pastaj ishte tepër e lehtë të bëhej një dhe një bashkë në numrin 2 të dihej se ajo ishte tërësisht një veprim që ishte i orkestruar jashtë kësaj sallë”, tha ajo.

Çka thotë Kusari Lila për deputetin e VV-së, Fatmir Humolli që lëshoi sallën në momentin kur u votua projektligji?

Sipas shefes së grupit parlamentar të VV-së, nëse Humolli është ndjerë i prekur nga ky votim , atëherë ai ka rënë pre e provokimeve të PDK-së.

“Është tërësisht në vullnetin e zotëri Humolli se si projektohet e ardhmja e tij politike, ai e din shumë mirë se ne nuk kemi koalicion me Listën Serbe, natyrisht në Kuvendin e Kosovës bisedojmë me të gjitha partitë,. Nëse është ndjerë sot i prekur, apo i dëshpëruar nga ajo se çfarë ndodhi atëherë duhet të them se ka rënë pre apo viktimë e një manipulimi e një partisë opozitare që nuk ka qenë fare sot në sallë”, tha ajo në këtë konferencë.

Shefja e grupit parlamentar të VV-së ka treguar se çfarë kanë biseduar me Listën Srpska

“Listës Serbe në Kryesi të Kuvendit i kam thënë se vendi juaj është të uleni krah PDK-së dhe ju e dini si e kanë uljen në krah të pozitës, tha Jo kështu na keni sjellë punën neve që të votojnë si opozita. Sot njëjtë ju thash nëse do të ketë protesta për projektligjin a do të jeni edhe ju pjesë e protestave. Pasi që ata bashkë me partinë PDK po i kanë të koordinuara veprimet, dhe kjo ka qenë e tërë biseda, mund t’i pyesësh”, tha ajo.

Ndryshe, Para se të nisë seanca e Kuvendit, lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, në një konferencë për media ka njoftuar që Grupi Parlamentar i PDK-së nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, për shkak të mospërfshirjes së veteranëve të UÇK-së në projektligjin për pagën minimale.

(Kosova Sot Online)