Shkoi të sqarojë sherrin e djalit dhe qëlloi drejt fëmijëve, dorëzohet autori! Si u shmang tragjedia

  • E.K /
  • 05 July 2022 - 15:02
Shkoi të sqarojë sherrin e djalit dhe qëlloi drejt fëmijëve, dorëzohet autori! Si u shmang tragjedia

Agron Mahmuti (Mehmeti) është 49 vjeçari që ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një grupi fëmijësh ditën e djeshme në Shkodër.

Ngjarja ndodhi në afërsi të gjimnazit “28 Nëntori” dhe dyshohet se të shtënat me armë kanë ardhur pas një sherri që djali i tij kishte pasur me fëmijët në lulishten ku u qëllua. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se është qëlluar me armë në drejtim të një fëmije 13 vjeç.

Policia thotë se autori i dyshuar kishte shkuar tek fëmijët që po luanin për të sqaruar një sherr të tyre me djalin e mitur të autorit. Më pas, i dyshuari Agron Mahmuti nxorri pistoletën dhe qëlloi në drejtim të një 13-vjeçari.

Fatmirësisht fëmijët e kanë parë autorin dhe janë larguar me shpejtësi, duke shmangur një tragjedi të mundshme.

Plumbi fatmirësisht nuk ka prekur asnjë nga fëmijët, teksa ka përfunduar në pjesën e pasme të një kondicioneri në një lokal aty afër.

Menjëherë pas ngjarjes autori është larguar me biçikletë. Ditën e sotme ai është vetëdorëzuar në polici.

(Kosova Sot Online)