Eurodeputetja franceze e ekstremit të djathtë: Kosovës as viza as integrim në BE

  • e.k /
  • 08 July 2022 - 11:56
Eurodeputetja franceze e ekstremit të djathtë: Kosovës as viza as integrim në BE

Eurodeputetja franceze e ekstremit të djathtë, Dominique Bilde, ka thënë se Kosovës as nuk duhet t’i liberalizohen vizat e as të lejohet që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Kështu ka shkruar Bilde pasi në Parlamentin Evropian është diskutuar për Kosovën, e ku ndër të tjera është thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përmbyllet me njohje reciproke mes dy shteteve.

“Kosova ishte në program këtë javë në Parlamentin Evropian. Ne refuzojmë zgjerimin e BE-së me këtë vend. Ne gjithashtu kundërshtojmë që të hiqen vizat për shumë shtetas të tyre. Është koha të ndalet kjo marrëzi”, ka shkruar francezja Bilde.

Ndaj saj ka reaguar ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, duke i thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe se liberalizimi nuk ndërlidhet me zgjerimin.

Çitaku madje ia ka kujtuar edhe faktin se qytetarët e Venezuelës lëvizin pa viza.

“Me gjithë respektin zonjë, e keni gabim për këtë. Institucionet e Kosovës i kanë plotësuar të gjitha kriteret për udhëtim pa viza kohë më parë. Liberalizimi i vizave nuk ka lidhje me zgjerimin. Qytetarët e Venezuelës udhëtojnë pa viza në BE”, ka shkruar Çitaku

(Kosova Sot Online)