Ekzekutori i Sajmir Jakut u fundos nga shenjat e gishtave, saga e hakmarrjeve mes dy fiseve në Rrëshen

  • S.A /
  • 26 July 2022 - 12:31
Ekzekutori i Sajmir Jakut u fundos nga shenjat e gishtave, saga e hakmarrjeve mes dy fiseve në Rrëshen

Dorian Keqi i arrestuar si autor i dyshuar për vrasjen e  ish-Drejtorit të Tensionit të Lartë për zonën e Veriut Sajmir Jakut në 9 shtator të 2016-ës, është fundosur nga shenjat e gishtrërinjve.

Pas vrasjes në fshatin Skuraj u gjet një automjet i djegur që dyshohej se ishte përdorur në krim. Poshtë makinës u zbulua bidoni i benzinës dhe në të u gjet një gjurmë gishti e cila çoi më pas drejt vrasësit pas shumë vitesh. Ndonëse gjurmët e gishtave të autorit ishin gjetur ai nuk u identifikua asokohe deri më sot.

Sipas uniformave blu, 40-vjeçari, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, dyshohet se e ka kryer krimin kundrejt pagesës. Po ashtu, policia thotë se ka identifikuar porositësit, të cilët dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun e Lezhës. Autoritetet i kanë identifikuar ata dhe i kanë vënë nën hetim, por për shkak të sekretit hetimor, nuk bëjnë publike të dhëna të tjera.

Jaku u vra me armë zjarri më 9 Shtator 2016. Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur edhe Gjergj Prenga, 50 – vjeç, i cili ndodhej në tavolinë me viktimën në momentin kur ndodhi vrasja.

Arrestimi i autorit sot sjell në vëmendje sagën e vrasjeve për hakmarrje mes dy fiseve Gjini dhe Reçi në Rrëshen. Rasti më i fundit ishte vrasja e Kastriot Reçit më 7 janar të 2020-ës.

Lexo edhe: Ekzekutoi Sajmir Jakun në mes të Rrëshenit, del fotoja e vrasësit me pagesë

Në 5 vitet e fundit nga përplasja mes dy fiseve janë ekzekutuar Saimir Jaku, Gasper Reçi, Kreshnik Gjini, Tonin Gjini dhe Kastriot Reçi.

(Kosova Sot Online )