Këto janë kërkesat e punonjësve që po protestojnë në Pallatin e Drejtësisë

  • S.A /
  • 25 August 2022 - 16:48
Këto janë kërkesat e punonjësve që po protestojnë në Pallatin e Drejtësisë

Punonjësit e Pallatit të Drejtësisë i janë drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Ministrisë së Administratës Publike (MAP) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) me disa kërkesa lidhur me përmirësimin e kushteve të punës.

Krahas kërkesës për ngritje të pagës, kryetari i Shoqatës Sindikale të Administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi, tregoi se cilat janë kërkesat e tjera të tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Problemet me të cilat ballafaqohet stafi i Pallatit të Drejtësisë, në letrën drejtuar institucioneve të lartpërmendura më 11 gusht 2022, janë renditur në gjashtë pika:

Kima jofunksionale,

Mungesa e ujit të pijes,

Mungesa e ujit në tualete,

Mungesa e ajrit pasi nuk hapet asnjë dritare,

Ashensorët jo të servisuar në rregull,

Erëra të ndryshme dhe të dëmshme, etj.

Në këtë letër theksohet se me këto probleme ballafaqohen punonjësit çdo ditë dhe se nga viti 2014 e deri më sot, klimatizimi në Pallatin e Drejtësisë nuk ka funksionuar si duhet, në mungesë të mosdijes së mirëmbajtjes apo diçka tjetër.

“Ne jemi ballafaquar me probleme nga më të ndryshmet shëndetësore, si marramendje, humbje vetëdije, vjellje, alivanosje, etj; dhe kjo krejt në mungesë të oksigjenit për shkak të klimatizimit jofunksional. Që tri vite, e gjithë popullata po ballafaqohet me pandeminë me virus corona, dhe njëra prej sugjerimeve të shumta të Institucioneve shëndetësore ishte se gjithë objektet duhet ajrosur, e ne gjithë stafi i Pallatit jemi ballafaquar me dy rreziqe, njëra nga virusi e tjetri nga klima ose ajrimi jo i mjaftueshëm, por që puna nuk është ndalur asnjëherë, madje as në atë fazën më të rrezikshme të fillimvitit 2020”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.

Andaj, duke pasur parasysh gjithë këtë gjendje, iu drejtohen institucioneve relevante që urgjentisht të merren me sanimin e këtyre problemeve për shkak të shëndetit të të gjithë të punësuarve në Pallatin e Drejtësisë, por edhe gjithë palëve.

Lidhur me këto kërkesa, Rrustemi tha për “Betimi për Drejtësi” se nga ministria nuk kanë pranuar ende përgjigje, kurse KGJK iu ka thënë se edhe ata iu kanë drejtuar disa herë MAP-it, por se nuk kanë marrë përgjigje.

Tutje, ai thotë se KGJK i ka informuar që para një kohe ishte hapur tenderimi për hapjen e dritareve dhe se KGJK e KPK kanë participuar me mjete buxhetore, por që OSHP ishte jofunksonale.

Ndryshe, punonjësit e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit, po protestojnë për përmirësim e kushteve të punës. 

(Kosova Sot Online )