Ka nisur e mërkurë tragjike në komunikacion, përgjaken rrugët me 3 viktima nga aksidentet

  • S.A /
  • 31 August 2022 - 10:18
Ka nisur e mërkurë tragjike në komunikacion, përgjaken rrugët  me  3 viktima nga aksidentet

Aksidentet rrugore kanë përgjakur rrugët e Shqipërisë këtë të mërkurë. Dita ka nisur me 4 aksidente brenda pak orësh ndërsa kanë humbur jetën 3 persona. Në orët e para të mëngjesit një makinë në Tiranë ka dalë nga rruga dhe ka hyrë në oborrin e një banese, duke përplasur një vajzë të re e cila qëndronte në oborrin e shtëpisë së saj. Për pasojë, 25-vjeçarja Marjana Seitaj pësoi dëmtime të rënda dhe u dërgua në spital. Fatkeqësisht, ndërroi jetë për shkak të plagëve që kishte pësuar nga përplasja me automjet. Drejtuesi i mjetit, Sajmir Thaçi 40 vjeç i cili humbi kontrollin mbi makinën tip Audi dhe përfundoi në oborrin e shtëpisë, u arrestua nga policia.

Sipas informacioneve policore, drejtuesi i mjetit ka qenë nën efektin e drogës. Ai drejtonte makinën me shpejtësi edhe pse rruga nuk ishte e shtruar me asfalt.  E reja që ka ndërruar jetë mësohet se ishte martuar javët e fundit.

Disa minuta më vonë një tjetër viktimë është shënuar në rrugën Levan-Tepelene në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Cakranit”, Një 75-vjeçar, banues në Cakran, Fier u përplas për vdekje nga një makinë.

I ndjeri Hysen Rucaj kishte dalë në rrugë për të gjetur një automjet me të cilin do të dërgonte ushqime për të afërmit (fëmijët) në Tiranë.

Viktima e radhës nga aksidentet u shënua në Tiranë. Një kamionçinë me të cilën transportoheshin viça është përplasur me trafikndarësen në zonën e Mjull Bathores.

Si pasojë e aksidenti ka humbur jetën shoferi i mjetit, i cili është ende i paidentifikuar. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, ambulanca dhe zjarrfikësja.

Aksidenti tjetër fatmirësisht ishte pa viktima. Mësohet se një makinë është përplasur me një motor në lagjen Partizani në Vlorë. Për pasojë drejtuesi motorit ka përfunduar në spital, si pasojë e lëndimeve që ka marrë në trup, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

(Kosova Sot Online )