“11 shtatori, dita më madhështore e jetës sime…”, kritikohet ish-kryebashkiaku i Nju-Jorkut

  • E.K /
  • 10 September 2022 - 17:50
“11 shtatori, dita më madhështore e jetës sime…”, kritikohet ish-kryebashkiaku i Nju-Jorkut

Ish-kryetari i Bashkisë së Nju-Jorkut, Rudy Giuliani, është kritikuar ashpër pasi tha se 11 shtatori 2001 ishte “dita më madhështore e jetës së tij”.

78-vjeçari po jepte një intervistë për një televizion amerikan pak ditë para përvjetorit të 21-të të sulmeve që shkaktuan mbi 3000 viktima në SHBA, kur dy avionë u përplasën në kullat binjake, ndërsa një tjetër u rrëzua pranë Pentagonit.

“Ndjesia është komplekse. Mendoj se mënyra më e mirë për ta përshkruar atë ditë është se ishte dita më e keqe e jetës sime, dhe në një farë mënyrë, edhe dita më madhështore e jetës sime, në kontekstin e qytetit tim, vendit tim e familjes sime”, tha Giuliani. “Ishte sulmi më i tmerrshëm i huaj në vendin tonë që prej Luftës së vitit 1812. Ishte një befasi e plotë. Ishte një sulm ndaj njerëzve të pafajshëm dhe unë e pashë në vetë të parë”, shtoi ai.

Giuliani ishte kryetar bashkie në atë kohë dhe për administrimin e situatës tragjike u pagëzua edhe si “Kryebashkiaku i Amerikës”. Që prej asaj kohe, shkëlqimi i tij është zbehur ndjeshëm, pasi FBI nisi një hetim për aktivitetin e tij në Ukrainë në vitin 2018.

“Intervista e plotë është më keq se citimi i veçuar”, reagoi në Twitter gazetarja e “New York Times”, Maggie Haberman. “Giuliani nuk duhet të lejohet kurrë më të flasë për 11 Shtatorin. Tradhtar i shpifur”, shkroi një tjetër përdorues në rrjetin social. “Rudy, sapo hodhe në koshin e plehrave të vetmen gjë për të cilën mund të ishte admiruar”, shkroi një tjetër.

(Kosova Sot Online)