Mjekja e IML-së për testimin e virgjërisë: Mijëra grave në Kosovë iu shkelën të drejtat, është besim i vjetruar

  • E.K /
  • 13 October 2022 - 15:09
Mjekja e IML-së për testimin e virgjërisë: Mijëra grave në Kosovë iu shkelën të drejtat, është besim i vjetruar

Specialistja në Mjekësinë Ligjore, Bergita Curri, e ka mirëpritur futjen e testimit të virgjërisë në Kodin Penal si vepër penale duke thënë se kjo gjë është dashur të ndodhte moti. Doktoresha Curri në një bisedë tha se virgjëria nuk është koncept shkencor dhe se populli ynë e ka “kultivuar si traditë për vite të tëra por në fakt është një besim i vjetruar tashmë dhe aspak i mbështetur në shkencë”.

Mjekja Bergita Curri tha se kërkesa për testimin e virgjërisë ka pasur edhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore, por se mjekët ligjorë në vitin 2016 kanë nënshkruar një dokument për të mos e kryer këtë ekzaminim. Pavarësisht kësaj ajo tha se ka mjekë dhe mënyra të tjera që në Kosovë kryhet ky ekzaminim.

“Nuk është që IML nuk ka pas në të kaluarën kërkesa por IML specifikisht mjekët ligjorë në vitin 2016 kanë nënshkruar një dokument në të cilin kanë thënë që pavarësisht kërkesave nuk do të pranojnë të kryejnë këtë ekzaminim, por besoj që është diçka që e di krejt Kosova që ka mjekë dhe mënyra për ta kryer këtë ekzaminim, pavarësisht që asnjëherë nuk ka pas diçka të ligjshme apo ndonjë rregull që e aprovon por njëkohësisht meqenëse nuk ka pas diçka që e ndalon kjo ka qenë një praktikë që është ushtruar dhe vazhdon të ushtrohet nga profesionistë të ndryshëm shëndetësorë”, tha Curri.

Mjekja Curri tha se në IML është kryer ekzaminimi vetën mbi bazën e ndonjë urdhëri nga prokuroria.

“Ne kemi kry ekzaminime vetëm mbi bazën e urdhëresave të prokurorisë, ndonjëherë edhe urdhëresa nga prokurori e ka prapavijën e përcaktimit se a është dikush i virgjër apo jo. Sepse ka ekzaminime për virgjëri dhe për raste të dhunimit”, tha mjekja.

Mjekja ligjore Bergita Curri tha se ekzaminimi për virgjëri bëhej kryesisht nga familjarët e vajzave.

“Ekzaminimi për virgjëri bëhet me qëllim për ta përcaktuar a është dikush i virgjër, a ka pas marrëdhënie seksuale për herë të parë a është i paprekshëm apo jo, kërkesa vjen nga familjarët. Ekzaminimi mjeko-ligjor e ka për qëllim për të dëshmuar kryerjen e një vepre penale apo për të mohuar. Qëllimi apo arsyeja është për të dokumentuar dëmtimet, gjurmët e veprës penale dhe tek ekzaminimi për virgjëri nuk ka të bëjë me vepër penale, ka të bëjë me tendencën për ta njollosur apo për ta shantazhu apo për ta kontrollu një femër”, tha ajo.

Në rastet e dhunimit seksual mjekja tha se zakonisht nuk ka dëmtime te viktimat, pasi viktimat janë kryesisht nën moshën 16-vjeçe dhe mundësia për ta kryer aktin seksual nën kërcënim apo nën presion psikik është shumë e madhe prandaj edhe nuk rezistojnë.

“Dëmtimet munden me qenë të ndryshme. Edhe nëpër botë dhe në Kosovë në shumicën e rasteve nuk ka dëmtime fare, arsyeja është e thejshtë sepse në Kosovë sidomos viktimat janë të mitura nën moshën 16-vjeç dhe mundësia për ta kryer aktin seksual nën kërcënim apo nën shantazhim dhe nën presion psikik është shumë e madhe dhe për këtë arsye dihet që te rastet e dhunimeve nuk ka dëmtime shumë sepse viktimat edhe frikësohen që të rezistojnë”, tha Curri.

Mjekja ligjore vlerëson se ndër vite në Kosovë u është bë padrejtësi e madhe vajzave dhe grave për testim të virgjërisë.

“Mendoj që kjo nismë dhe futja e testimit të virgjërisë si vepër penale është dashur të ndodhë që moti, jam e lumtur që Ministria e Drejtësisë më në fund e ka marrë këtë çështje si prioritet. Mendoj që kjo ka qenë një shkelje e cila është bërë ndër vite në Kosovë, ndaj qinda e mijërave grave në Kosovë në emër të një pastërtie, por në fakt ka qenë shkelje e të drejtave të tyre dhe shkelje e dinjitetit të tyre”, tha ajo.

Ajo tha se futja e testimit të virgjërisë në Kodin Penal si vepër penale është mundësi e mirë për të debatuar mbi këtë temë, pasi ndër vite është heshtur, ajo shton se virgjëria është besim i vjetruar.

“Jam shumë e lumtur që një ndryshim I tillë është bë dhe kjo do të jetë një mundësi për ta nxitë debatin sepse e kemi mbajtur heshtur. Është e rëndësishme ta diskutojmë hapur këtë çështje, jam e bindur që do të ketë zëra kundër kësaj Virgjëria nuk është koncept shkencor, populli ynë e ka mbajtur dhe kultivuar si traditë me vite të tëra dhe është thirrë që është pro virgjërisë, në fakt është një besim i vjetruar tashmë dhe aspak i mbështetur në shkencë”, përfundoi mjekja.

Qeveria e Kosovës, ka miratuar dje ndryshime në Kodin Penal, përmes së cilit parashihen dënime më të ashpra për personat e dënuar për veprat penale për dhunë në familje, sulm seksual e dhunim.

“Është paraparë si vepër e re penale Testimi i virgjërisë, kjo vepër e re sanksionohet sepse konsiderohet se ky është test mjekësor i panevojshëm përmes së cilit shkelen të drejtat themelore njeriut”, thuhet te masat ndëshkuese që ka publikuar dje këshilltari i Ministres Albulena Haxhiu, Flamur Pireva. 

(Kosova Sot Online)