Policia ende pa shef në krye të saj, ish-drejtori tregon arsyet e mundshme pse nuk është zgjedhur askush

  • E.K /
  • 26 October 2022 - 14:42
Policia ende pa shef në krye të saj, ish-drejtori tregon arsyet e mundshme pse nuk është zgjedhur askush

Që nga dorëheqja e Samedin Mehmetit, Policia e Kosovës ka mbetur me ushtrues detyre, Fehmi Hotin. Sipas ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tani deputet i Kuvendit nga radhët e PDK-së, drejtori i ri i policisë është dashur që të zgjedhej. Qalaj shprehet se për të parin e policisë janë vetëm pesë kandidatë dhe ky është numër i vogël, duke thënë se ka hezitim për të aplikuar në këtë pozitë.

Teksa foli , ish-drejtori Rashit Qalaj tha se MPB është dashur që të formojë panelin për intervistimin e kandidatëve që kanë aplikuar në pozitën e drejtorit të policisë. Gjithashtu Qalaj hodhi dyshime se ndoshta Ministria e Punëve të Brendshme është e pakënqaur me numrin e kandidatëve.

“Konkursi i policisë, që një muaj gati që është mbyllur, unë mendoj që Ministria e Punëve të Brendshme është dashur të vazhdojë me hapa të tjerë. E hapat e tjerë janë formimi i paneleve dhe fillimi i intervistimit të kandidatëve që kanë aplikuar. Unë nuk i di arsyet pse deri më tash ministria nuk ka vendosur të vazhdojë përpara me konkurs, ndoshta janë të pakënaqur me numrin e kandidatëve që kanë aplikuar apo ndoshta ka ndonjë arsye tjetër. Por është dashur që të krijohet paneli dhe të intervistohen kandidatët që kanë aplikuar”, tha Qalaj.

Ai tha se në këtë konkurs kanë aplikuar pak kandidatë, duke përmendur si arsye të mundshme “interferimin e mesit të brendshëm dhe strukturave të tij në punët operacionale të policisë”.

“Unë e kam informatën që kanë aplikuar pesë kandidatë, një nga minoritetet dhe katër shqiptarë, ai nga minoritetet është dashur të aplikojë për shkak se janë kushtet e konkursit që duhet t’i plotësojë si konkurs, që të jetë një grua dhe një nga minoritetet. Për nga aspekti legal është numër i mjaftueshëm, por mendoj se është numër i vogël i kandidatëve që kanë aplikuar dhe kjo flet që ka një hezitim, me shkak, të mentorëve të lartë të policisë që të aplikojnë për pozitën e drejtorit, unë mendoj që arsyeja kryesore është interferimi i mesit të brendshëm dhe strukturave të tij në punët operacionale të policisë dhe kjo është arsyeja pse është numri kaq i vogël i kandidatëve që kanë aplikuar për pozitën e drejtorit”, tha Qalaj.

Deputeti Qalaj tha se është e papranueshme shtyerja për zgjedhjen e drejtorit të ri të PK-së.

“Tash është dashur veç me u zgjedh drejtori i policisë, prap po them nuk e di arsyen pse janë duke e shtyer. Është e papranueshme se ka pas konkurs kanë aplikuar njerëzit dhe nuk ka asnjë vendim, kësaj rruge duhet me ja dhënë një drejtim dhe gjithsesi të zgjdhet drejtori i policisë”, përfundoi ai.

Në media kanë qarkulluar emrat e pesë kandidatëve për drejtor të policisë. Bëhet fjalë për Sllagjana Stojanoviq, drejtoreshë e administratës në Mitrovicë, Drejtori i Teknikës Kriminalistike, Bahri Shala, Drejtori i Departamentit të Operacioneve, Gazmend Hoxha, ish-drejtori i Departamentit Kundër Krimit të Organizuar, Fatos Haziri  dhe Granit Fetahu, drejtor për Sigurimin e Objekteve dhe Personaliteteve.

Kjo pozitë parasheh mandatin prej pesë vitesh me mundësi të vazhdimit pas çdo pesë vjetëve nga autoriteti që e emëron. 

(Kosova Sot Online)