Konjufca pret në takim Szunyog: Kuvendi është i përkushtuar t’i adresojë të gjitha rekomandimet e KE-së

  • E.K /
  • 26 October 2022 - 15:13
Konjufca pret në takim Szunyog: Kuvendi është i përkushtuar t’i adresojë të gjitha rekomandimet e KE-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot e ka pritur në takim shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Kuvendi, Konjufca e ka pranuar Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.

“Kryetari Konjufca e njoftoi Ambasadorin Szunyog përkitazi me punën e deritashme, arritjet, planet dhe sfidat e Legjislaturës së VIII-të, teksa ka përmendur përmbushjen e konsiderueshme të agjendës legjislative, pastaj miratimin e Rregullores së re të Punës, pas më shumë se një dekade përpjekjesh, si dhe miratimin e disa ligjeve shumë të rëndësishme që lidhen me Agjendën e Reformave Evropiane, që prej kohësh nuk kishin arritur të miratoheshin”, thuhet në komunikatë.

Konjufca i ka thënë Szunyog se “ditëve në vijim do t’i shqyrtojnë dhe analizojnë gjetjet e raportit”.

“Tutje, Kryetari i Kuvendit njoftoi se ditëve në vijim do t’i shqyrtojnë dhe analizojnë gjetjet e Raportit dhe përmes një plani të posaçëm veprimi do t’i adresojnë të gjitha të gjeturat, duke thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës është i përkushtuar për t’i adresuar të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian.”

Ndërsa, përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe vazhdimin e mbështetjes së legjislativit në funksion të avancimit të agjendës së përbashkët evropiane.

Komunikata e plotë:

Kryetari Glauk Konjufca priti në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga Shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadorin Tomáš Szunyog, nga i cili ka pranuar Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, publikuar më 12 tetor 2022.

Kryetari Konjufca e njoftoi Ambasadorin Szunyog përkitazi me punën e deritashme, arritjet, planet dhe sfidat e Legjislaturës së VIII-të, teksa ka përmendur përmbushjen e konsiderueshme të agjendës legjislative, pastaj miratimin e Rregullores së re të Punës, pas më shumë se një dekade përpjekjesh, si dhe miratimin e disa ligjeve shumë të rëndësishme që lidhen me Agjendën e Reformave Evropiane, që prej kohësh nuk kishin arritur të miratoheshin.

Është e rëndësishme të theksohet fakti se Kuvendi vetëm gjatë sesionit pranveror të këtij viti ka arritur të miratoi 87 ligje, shifër kjo më e larta e arritur gjatë një sesioni, tha Kryetari i Kuvendit.

Duke folur për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, Kryetari Konjufca vlerësoi se dokumenti në fjalë pasqyron progresin e arritur si asnjëherë më parë dhe po ashtu shërben si udhërrëfyes për institucionet tona shtetërore që të angazhohen edhe më shumë në përmbushjen e detyrave, sidomos në ato fusha ku mund të bëhet më shumë.

Tutje, Kryetari i Kuvendit njoftoi se ditëve në vijim do t’i shqyrtojnë dhe analizojnë gjetjet e Raportit dhe përmes një plani të posaçëm veprimi do t’i adresojnë të gjitha të gjeturat, duke thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës është i përkushtuar për t’i adresuar të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian.

Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe vazhdimin e mbështetjes së legjislativit në funksion të avancimit të agjendës së përbashkët evropiane.​

(Kosova Sot Online)