Escobar e Lajçak i kërkojnë përgjigje Kurtit

  • A.P /
  • 16 March 2023 - 15:52
Escobar e Lajçak i kërkojnë përgjigje Kurtit

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë shtuar përpjekjet për t’i bindur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq që të nënshkruajnë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Emisarët Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar e kanë vënë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në qendër të kërkesave të tyre para takimit, duke iu kërkuar të dyja palëve që të tregohen konstruktivë për ta gjetur një kompromis.

Pas takimeve me Kurtin në Prishtinë dhe Vuçiqin në Beograd, Lajçak tha për televizionin publik serb se Asociacioni do të krijohet.

“Autoriteti më i lartë i BE-së thotë se duhet të krijohet Asociacioni. SHBA thotë që Asociacioni duhet të krijohet. Pra duhet të krijohet Asociacioni dhe do të krijohet”, ka thënë Lajçak.

Ai tha se “nëse nuk ka Asociacion, nuk ka marrëveshje dhe nuk ka normalizim”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për modelet e Asociacionit, Lajçak tha se ajo që u nënshkrua në vitin 2013 dhe 2015 nuk u zbatua, por ka theksuar se “këtë herë duhet të ndodhë”. Ajo marrëveshje e nënshkruar 10 vjet më parë, nuk është braktisur, ka thënë Lajçak.

Paraprakisht, këtë kërkesë e kishte bërë të qartë i dërguari i SHBA-së për dialogun, Gabriel Escobar, i cili e ka pasuar kolegun e tij europian në një tour në Prishtinë dhe Beograd para takimit të rëndësishëm në fundjavë.

Pas takimit me opozitën pro-europiane në Beograd, Escobar tha të enjten para gazetarëve në Beograd se Asociacioni “do të bëhet realitet”.

Çdo gjë për të cilën tashmë është rënë dakord nuk do të diskutohet më tej, tha Escobar, duke përmendur Asociacionin.

“Në Ohër, ne dëshirojmë të shohim pranimin se Asociacioni është një pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Dhe kur e flas si kërkesë, nuk dua të provokoj një konfrontim apo ta vë si sfidë. Fakti është se Asociacioni është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, është pjesë e konkluzioneve të Këshillit Europian, është pjesë e politikës së SHBA-së. Do të bëhet realitet, pyetja e vetme është se sa shpejt do të ndodhë dhe cili model do të aplikohet”, tha diplomati amerikan.

(Kosova Sot Online)