Analisti Krasniqi reagon për skandalet në sektorin e energjisë: Martini ende ambasador, Nagipi po mbrohet se u kapë duke vjedhur

  • S.A /
  • 25 April 2023 - 12:11
Analisti Krasniqi  reagon për skandalet në sektorin e energjisë: Martini ende ambasador, Nagipi po mbrohet se u kapë duke vjedhur

Analisti kosovar, Albert Krasniqi ka reaguar me një shkrim  për situatën në sektorin e energjisë në vend. Ai thotë se KEK-u është kapur përmes një drejtori partiak i cili tashmë është në burg për shkak të dyshimeve me manipulime me tender, ndërkohë që KEK-u në vazhdimësi po pëson humbje shkaku i lënies jashtë funksioni të bllokut A5, përcjell "Kosova Sot Online".

Krasniqi tutje ka potencuar se KEDS-i ka shkaktuar monopol me çmimin e garantuar, ndërkohë që është subvencionuar me 75 milionë euro të taksave të qytetarëve për të mbajtur fitimet.

Ai në përmbledhjen e tij të problemeve në sektorin e energjisë ka përmendur edhe rritjen e çmimit të energjisë nga ZRRE-ja për 130%. Në reagimin e tij ai ka shkruar edhe për dështimin e investimit në fermën e erës në Çiçavicë për shkak se Qeveria s’ia ka dhënë statusin e investitorit strategjik ÇiçavicaWindfarm dhe refuzimin e projektit për kyçje në gazsjellësin në Maqedoninë e Veriut.

Analisti kosovar tutje thotë se Martin Berisha po mbahet edhe mëtej ambasador edhe përkundër përfoljes për skandalin 100 milionësh dhe Nagip Krasniqi po mbrohet nga pushteti jo pse s’ka vjedhur por që e kanë zënë.

Reagimi i plotë:

Si është menaxhuar në të kaluarën me sektorin e energjisë, mjafton të përmendim çmimin e shitjes së distribucionit prej 26.3 milionë euro  – që është fitimi i një viti – dhe faljen e katër hidrocentraleve.

Si po menaxhohet tash me sektorin e energjisë:

1. KEK-u është kapur me drejtor partiak, i cili është në pranga për shkak të akuzave të Prokurorisë për manipulime në tender. Nën menaxhimin e tij, KEK ka pësuar dëm prej 30 milionë euro vetëm në vitin 2021 nga rënia e prodhimit, dhe humbje milionëshe po shkaktohen çdo ditë nga lënia jashtë funksionit e Bllokut A5. Në media po dalin çdo ditë skandale prej kontratave një burimore që kapin vlerën e 80 milionë euro;

2. KEDS-i – kompani private që ka monopol dhe çmim të garantuar – është subvencionuar me 75 milionë euro prej taksave tona për t’ia mbajtur lartë fitimet;

3. KOSTT-it i janë ndarë 40 milionë euro për të paguar faturat e energjisë të serbëve në veri;

4. ZRRE-ja – për ne që paguajmë – ka shtrenjtuar tarifat e energjisë elektrike për 130%;

5. ÇiçavicawindFarm, kompani ndërkombëtare që planifikonte të investonte 100 milionë euro në projektin për prodhim të energjisë elektrike me erë, është tërhequr pasi institucionet janë vonuar për t’i dhënë statusin e investitorit strategjik;

6. MCC-s i është refuzuar projekti 200 milionë dollar për kyçje në gazsjellësin me Maqedoninë e Veriut;

7. Martini mbahet ambasador përkundër përfshirjes në skandalin 100 milionësh me mafinë energjetike të Ballkanit;

8. Nagipi mbrohet nga pushteti, jo pse s’ka vjedhur, por pse e kanë zënë.

Në ndërkohë, dy komisionet hetimore për energji të Kuvendit – për një vit – nuk kanë arritur të zbardhin asgjë. As këta për ata, as ata për këta!

(Kosova Sot Online )