Shtëpi, banesa, fermë, kredi… Katër kryetarët në Veri e kanë deklaruar pasurinë

  • S.A /
  • 09 August 2023 - 12:13
Shtëpi, banesa, fermë, kredi… Katër kryetarët në Veri e kanë deklaruar pasurinë

Katër kryetarët e rinj të komunave në veri, Erden Atiq, Lulzim Hetemi, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, e kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, transmeton "Kosova Sot Online". Më poshtë  ju sjellim një përmbledhje të pasurive që ata thonë se i kanë në pronësi, sipas deklarimit në AKK.

Në faqen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit tashmë gjenden edhe formularët e deklarimit të pasurisë së kryetarëve të komunave në veri të vendit.

Kryetari i Zveçanit dhe ai i Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, që vijnë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, i kanë dorëzuar formularët të njëjtën ditë, saktësisht 21 qershor.

Tek pasuritë e paluajtshme, Peci ka deklaruar një tokë në vlerë prej 58 mijë euro dhe një shtëpi 20 mijë euro. Të dyja thotë se janë trashëguar dhe se janë në pronësi të përbashkët.

Peci ka deklaruar se ka në pronësi edhe një fermë në vlerë 50 mijë euro, që thotë ta ketë ndërtuar në vitin 2007 nga kursimet. Për zgjerimin e kësaj ferme, Peci kishte hyrë vitin e kaluar në kredi, raporton Express.

Si pasuri të luajtshme, ai ka renditur edhe veturën e tij në vlerë 3 mijë e 550 euro dhe metalet e çmuara në pronësi të bashkëshortes, që thotë se kushtojnë 3 mijë e 10 euro.

Tek të ardhurat vjetore, ai ka deklaruar pagën neto si Kryetar i Zveçanit, në shumë 1 mijë e 81 euro dhe 630 euro që thotë se i ka marrë si subvencione  nga ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Pasuria e Kryetarit të Zubin Potokut

Pasurinë e ka deklaruar edhe Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri. Ai ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi në vlerë 50 mijë euro, një tokë në vlerë 30 mijë euro dhe pyll 15 mijë euro. Të gjitha këto ka thënë se i ka trashëguar nga babai i tij.

Si pasuri të luajtshme, Zeqiri e ka deklaruar veturën e tij, në vlerë 3 mijë e 100 euro që thotë se e ka blerë këtë vit.

Para të gatshme ka thënë se i ka 130 euro. Zeiqiri ka deklaruar se është edhe në kredi për renovim/rritje të metrit katror të shtëpisë. Vlera e kësaj kredie kur e kishte marrë në vitin 2016 ka qenë 20 mijë euro, e vlera e mbetur tash është 12 mijë e 811 euro.

Të hyrë vjetore e ka deklaruar pagën që merr si Kryetar i Zubin Potokut në shumë 1 mijë e 81 euro, dhe 713 euro të fëmijëve me të cilët jeton në bashkësi familjare.

Pasuria e Kryetarit të Leposaviqit

Para tri ditësh, formularin për deklarimin e pasurisë e ka dorëzuar edhe Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Hetemi ka deklaruar se ka një shtëpi në vlerë 10 mijë euro, që ka qenë donacion pas lufte.

Tek rubrikat tjera nuk ka të dhëna, përveç të të hyrat vjetore. Aty ka deklaruar pagën si Kryetar i Leposaviqit në vlerë 1 mijë e 260 euro.

Pasuria e Kryetarit të Mitrovicës së Veriut

Ndërkohë, Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq e ka dorëzuar formularin në muajin janar, meqë ka mbajtur pozita edhe më herët.

Atiq ka deklaruar në pronësi një banesë në vlerë 22 mijë euro, të trashëguar nga prindi.

Si detyrim financiar, ka përmendur një kredi në vlerë 800 euro, në kohëzgjatje prej një viti.

Si të hyra vjetore, Atiq ka deklaruar pagë 6 mijë euro nga Ministria e Punëve të Brendshme, dhe pagë tjetër 2 mijë e 700 euro nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës.

“Sipas ligjit, zyrtarët publik, subjekte deklaruese, mund të bëjnë plotësime/përmirësime/korrektime të deklarimeve të tyre deri 30 ditë nga publikimi i regjistrave. Pas fillimit të verifikimit të plotë nuk lejohen plotësime tjera.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është në proces të vazhdueshëm publikimit të regjistrave varësisht nga afatet ligjore të deklarimit”. 

Ndryshe, tTensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga fundi i majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit. Kjo u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët për disa ditë me radhë protestuan para objekteve komunale.

Situata eskaloi me 29 maj, kur protestuesit u përplasën me pjesëtarët e KFOR’it, ku si pasojë u lënduan mbi 30 ushtarë.

(Kosova Sot Online )