
Gjeloshaj: Ai që do të shkelte pikat e marrëveshjes nuk do të jetë më pjesë e qeverisë

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Mal të Zi u zhbllokua funksionimi i disa institucioneve të drejtësisë dhe Mali i Zi zhvilloi konferencën ndërqeveritare me Bashkimi. Evropian, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Megjithatë, zgjedhja e përfaqësuesit të forcave politike pro-serbe dhe pro-ruse për kryetar të parlamentit, Andrija Mandiç, ka ngjallur shqetësime tek Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Gjatë një interviste për voa, zëvendës kryeministri dhe ministri i Ekonomisë së Malit të Zi, Nik Gjeloshaj tha se roli i Andrija Mandiç, përfaqësues i partive pro-serbe dhe pro-ruse si kryeparlamentar dhe përfshirja gjatë këtij viti në kabinetit qeveritar të përfaqësuesve të tjerë të këtyre forcave, nuk do të ndryshojnë orientimin euroatlantik të Malit të Zi.
Sipas tij çështjet si integrimet euroatlantike dhe vazhdimi i sanksioneve ndaj Rusisë, janë pjesë e marrëveshjes së koalicionit, të cilën qeveria do ta respektojë.
“Nëse ka shkelje të marrëveshjes së koalicionit qeverisës, nuk do të largohemi vetëm ne, por edhe të tjerët. Mendoj se ai që do të shkelte pikat e marrëveshjes nuk do të jetë më pjesë e qeverisë”, tha zoti Gjeloshaj.
(Kosova Sot Online)