Lutfi Haziri zbulon detaje për negociatat e dikurshme me Kurtin për koalicion parazgjedhor: Tha nuk bën Vjosa e para, u ankua se qesha në takim

  • S.A /
  • 01 April 2024 - 11:44
Lutfi Haziri zbulon detaje për negociatat e dikurshme me Kurtin për koalicion parazgjedhor: Tha nuk bën Vjosa e para, u ankua se qesha në takim

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka treguar detaje nga negociatat që dikur partia më e vjetër në vend i zhvillonte me Lëvizjen Vetëvendosje për të shkuar në koalicion në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, transmeton "Kosova Sot Online ".

Haziri tha se kryeministrit të tanishëm, Albin Kurti nuk kishte pranuar që Vjosa Osmani, atëherë kandidate e LDK-së për kryeministre, të ishte bartëse e listës së përbashkët zgjedhore. “Ja nuk bën”, citon Haziri të ketë thënë Kurti në një prej takimeve para atyre zgjedhjeve.

“Albin Kurti… kemi pasur muhabet ne për një listë, nëse ju kujtohet, një listë të përbashkët LDK-VV. Ne e pranuam parimisht koalicionin parazgjedhor, por ne vendosëm njëanshëm që Vjosa me qenë numri një në listë. Tash ligji thotë që femra duhet me qenë numri 3, por kur është eksponenti numër një i partisë, nuk ka numër – del numri një. Kur shkuam me i tregu tha ‘ja nuk bën, unë duhet me qenë numri një’. Tipi, vetë. Ne duke mendu që u tejkalua problemi, nuk ka më problem. Problemi është politik. Kur vendosin lidershipet e dy subjekteve që janë kuq e zi – ne jemi qendra e djathtë, më konservativ, ata janë qendra e majtë – problem është me punu bashkë. Por u afruam për një qëllim dhe tash me u bë emri i Vjosës ishte e pakuptimtë, nonsens”, tha Haziri në emisionin “Show i së premtës” në RTK.

Pas atij takimi, Haziri tha se kishte marrë vesh nga Osmani se Kurti ishte ankuar që nënkryetari i LDK-së kishte qeshur në takim.

“Dhe pasi u krye takimi, unë ndoshta kam qeshë, se qeshi prej natyrës. Në situata të rënda mundohem me qenë serioz, por jo me u bë burg në atë punë… Dhe i thashë Vjosës çka ndodhi me këtë punë? Atij i kish pasë mbetë hatri që unë kam qeshë në takim, ka mendu që jam gëzu. Se thoshte ‘dikush qeshte në takim kur ne nuk merreshim vesh’. Por s’kish lidhje ajo punë me neve. Dhe krejt situata ndodhi që nuk u bë”, tha Haziri.

Ai tregoi edhe për një diskutim të tij me Osmanin për fushatën që do të zhvillohej.

“E përballuam ne situatën e zgjedhjeve, Vjosa u tregu politikisht korrekte, që nuk është marrë me Albin Kurtin. Sepse ne kur bisedonim… duhesh me e targetu politikën e tij, jo Albin Kurtin. Thoshte ‘po, në rregull, por a ka projeksion me punu me të pas zgjedhjeve?’ Po. ‘Po qysh tash unë e kritikoj e mandej pas zgjedhjeve duhet me u ulë me punu me të”, tha Haziri.

Nënkryetari i LDK-së tha se Vjosa Osmani kishte qenë fituese morale e atyre zgjedhjeve.

(Kosova Sot Online )