Thirrja e Srpska për bojkot të votimit të 21 prillit, Ambasada e SHBA-së kundër

  • S.A /
  • 08 April 2024 - 12:44
Thirrja e Srpska për bojkot të votimit të 21 prillit, Ambasada e SHBA-së kundër

Dje, Lista Serbe, njoftoi që nuk do të marrin pjesë në votimin e 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore të Kosovës.

Lidhur me këtë, ambasada amerikane në Kosovë  ka thënë se është e rëndësishme që qytetarët të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre për të larguar zyrtarët e zgjedhur në përputhje me ligjin në Kosovë, nëse ata vendosin ta bëjnë një gjë të tillë.

“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë një votim për largimin e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë.”

Nga kjo ambasadë kanë thënë se vlerësojnë përpjekjet për të lejuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në votimin e 21 prillit.

Ambasada shton se në këtë proces mundësi pjesëmarrrje kanë edhe komuniteti serb.

“Ne vlerësojmë përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për të lejuar të gjithë qytetarët kosovarë të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovës kanë mundësi të marrin pjesë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane .

“Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se do tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve”, thuhet në përgjigje.

Ambasada ka thënë se pret që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve në veri gjatë procesit.

Tutje, në përgjigje thuhet se SHBA dhe partnerë tjerë do ta ndjekin këtë proces nga afër.

“Pjesëmarrja demokratike ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër.”

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, dje në një konferencë për media tha se kjo parti është kundër votimit të 21 prillit për largimin e kryetarëve aktualë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit.

Ai tha se votimi është “jolegjitim”, pasi sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “bëri gjithçka që ai referendum të mos ketë sukses”.

“Në disa raste, gjatë takimeve me përfaqësues të vendeve të QUINT-it dhe ambasadorë, kemi paralajmëruar se këto të dhëna nuk janë të sakta dhe se nuk e ruajnë gjendjen e vërtetë në terren, sepse në muajt e fundit, më shumë se 15 për qind e njerëzve. nga veriu i Kosovës janë shpërngulur. Fatkeqësisht, nuk kemi gjetur mirëkuptim”, tha Elek, i cili përmendi format tjera të largimit të kryetarëve shqiptarë.

Elek po ashtu tha se nuk ka parë asnjëherë votim me kamera, duke iu referuar vendimit të KQZ’së për vendosjen e kamerave në vendvotime për 21 prill dhe zgjedhje tjera kurdo që mbahen ato.

“Nuk kam parë që të mbahet ndonjë referendum në prani të kamerave. Propozimi është që referendumi të bëhet në shkollat që janë pjesë e sistemit arsimor serb. Shqiptarët duan që të vendosen kamera në çdo klasë dhe korridor, ndaj morën hua një numër të caktuar kamerash nga KQZ-ja në Shqipëri. Me të drejtë populli shtron pyetjen se si do të jenë kamerat në qendrat e votimit, nëse kemi komisione zgjedhore dhe kaq shumë kontroll dhe tani duhen më shumë kamera”, tha Elek.

(Kosova Sot Online )