
Shembet shpella e akullit në Islandë, vdes një turist, zhduken dy të tjerë

Një turist ka humbur jetën në jug të Islandës pas shembjes së akullit gjatë një vizite që po bënte në një akullnajë. Këtë e raportojnë mediat lokale. Një turist tjetër u plagos dhe është dërguar në spital, ndërsa dy të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Sipas asaj që raportohet, i plagosuri nuk është në rrezik për jetën. Ekipet e shpëtimit kanë pezulluar deri në mëngjes kërkimin për të zhdukurit në akullnajë për shkak të kushteve të vështira.
Akulli u shemb ndërsa grupi prej 25 personash po vizitonte një shpellë akulli së bashku me një guidë të dielën. Ekipet e shpëtimit po punojnë në kushte tepër të vështira në terren.
“Është e vështirë për të përdorur pajisjet tona. Është terren shumë i vështirë”, thekson shefi i policisë Svein Runarson. Mediat në Islandë raportojnë se 200 persona janë angazhuar në operacionet e shpëtimit.
(Kosova Sot Online)