'Për konstituimin e Kuvendit duhet të zgjidhjet një kandidat konsensual që s’vjen nga partitë kryesore'

  • A.P /
  • 23 August 2025 - 17:10
'Për konstituimin e Kuvendit duhet të zgjidhjet një kandidat konsensual që s’vjen nga partitë kryesore'

Analisti politik, Albert Krasniqi, tha se pasi askush nuk ka arritur të krijojë një shumicë parlamentare në Kuvend edhe gjashtë muaj pas zgjedhjeve, mandatet duhet t’i kthehen popullit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Por, si thotë se  para se vendi të shkojë në zgjedhje të reja, partitë politike duhet të bien dakord mbi disa çështje themelore që do të shmangin bllokadat e së ardhmes dhe do të garantojnë funksionalitetin institucional.

Krasniqi tha se për konstituimin e Kuvendit duhet të zgjidhjet një kandidat konsensual që s’vjen nga partitë kryesore.

Ai ka propozuar edhe disa ndryshime në legjislacion edhe për zgjedhjen e presidentit, si për zgjedhjet lokale.

Propozimet e Krasniqit:

1. Konstituimi i Kuvendit – të zgjidhet një kandidat konsensual për Kryetar të Kuvendit, i cili nuk vjen nga partitë kryesore politike;

2. Ndryshime kushtetuese për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – të mundësohet një garë me më shumë kandidatë dhe sistem dy raundesh, duke ndjekur modelet e Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut, për të shmangur bllokadat e ngjashme në të ardhmen;

3. Zgjedhja e Presidentit nga populli – megjithëse shpesh shihet si një ushtrim i panevojshëm demokratik, votimi i drejtpërdrejtë rrit stabilitetin institucional dhe e lehtëson procesin e formimit të koalicioneve paszgjedhore;

4. Ndryshime në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme – të reduktohet numri i votave preferenciale nga 10 në 3, të rikthehet numërimi i votave në vendvotime dhe të adresohen problemet e krijuara nga ndryshimet e fundit;

5. Opsionalisht, reformim i zgjedhjeve lokale – të shqyrtohet mundësia që zgjedhjet për kryetarë komunash të zhvillohen në vetëm një raund (fiton kandidati i renditur i pari) dhe të ulet numri i nënshkrimeve të nevojshme për shkarkimin e tyre.

(Kosova Sot Online)