
Limaj kërkon shkarkimin e Bashës: Dimali nuk mundet me qenë kryetar Kuvendi

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar shkarkimin e Kryeparlamentarit Dimal Basha, duke thënë se nuk duhet të mbajë më post publik, pasi ka fyer historinë e Kosovës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ai theksoi se kushdo që kandidon për poste shtetërore duhet të ketë një të kaluar të pastër dhe të mos ketë sulmuar vlerat kombëtare.
“Ti nuk mundesh me qenë kryetar Kuvendi, i cili ka pasë punim shkencor që ka fyer, shtrembëruar, etiketuar dhe akuzuar historinë e kombit të vet dhe gjithë qytetarët e Kosovës. Nuk kam pa fyerje më të madhe”, tha Limaj.
Sipas tij, Basha ka ofenduar edhe diasporën shqiptare, duke e lidhur padrejtësisht me rrjete kriminale dhe trafik droge.
“Procesi i lirisë së Kosovës është financuar përmes djersës së qindra-mijëra burrave e grave në diasporë. Ata kanë mbajtur gjallë arsimin, shëndetësinë dhe jetën paralele në vitet ’90. Shkru me një punim shkencor që kjo është financuar nga bandat dhe kartelat e drogës është fyerja më e rëndë që i bëhet diasporës sonë”, u shpreh Limaj.
(Kosova Sot Online)