Abdixhiku i reagon VV-së: Sekt që duan të ndërtojnë sistem te vjedhjes
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka publikuar një reagim ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke e akuzuar atë se po përpiqet të ndërtojë “sisteme manipulimi të votave” në prag të zgjedhjeve të ardhshme, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Reagimi i tij vjen pasi PZAP anuloi votimin jashtë ambasadave dhe akuzave të Vetëvendosjes se LDK është kundër mërgatës.
Në deklaratën e tij, Abdixhiku thotë se LVV ka tentuar rikthimin e votimit me email, për të cilin thotë se ka qenë i cenueshëm dhe i përdorur në të kaluarën për manipulime. Sipas tij, një praktikë e tillë është refuzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pasi “drejtësia dhe ligji qëndruan”.
“E vërteta është se që nga caktimi i datës së zgjedhjeve, e deri më sot, po provohet nga Vetëvendosja në çdo mënyrë të ndërtohet një sistem i manipulimit të votave. I vjedhjes së tyre për ta thënë thjeshtë. Një herë, provuan ta kthejnë sistemin e vjetër të votimit me email. Atë ku një militant, para televizorit, mbushte qindra e qindra fletëvotime vet”.
Po ashtu, ai thotë se LVV ka kërkuar që votimi të kryhet në “depo mallrash, salla dasmash e restorante”, jashtë ambienteve zyrtare të ambasadave dhe konsullatave të Kosovës, gjë që, sipas tij, është kundërshtuar nga PZAP.
Abdixhiku deklaron se mërgata këtë vit e ka më të lehtë procesin e votimit, duke theksuar se qytetarët mund të votojnë në ambasada, konsullata apo përmes postës, “me fletëvotim të pranuar nga shteti i tyre”. Ai thekson se LDK po punon aktivisht me diasporën dhe i fton qytetarët të regjistrohen dhe të votojnë në masë.
“E vërteta është e thjeshtë. Mërgata kurrë më të lehtë nuk e ka patur votimin. Përveç se zgjedhjet janë në fundvit, kur secili mund të jetë në atdhe; secili bashkëatdhetar që nuk vie këndej, mund të votojë në konsulatë e ambasadë të Republikës; shtetit tonë. Mund dhe të votojnë edhe me postë; secili në emrin e vet, me fletvotim jo të printuar por të pranuar nga shteti i vet”
Kryetari i LDK-së e përshkruan reagimin e fundit të LVV-së si “panik” dhe “histeri politike”, duke shtuar se sipas tij, mërgata “nuk mashtrohet më” dhe se kjo po shkakton frikë tek kundërshtarët politikë.
“Sekti i Vetëvendosjes nuk e do këtë. Ata duan të manipulojnë. T’i printojnë vet fletëvotimet. T’i mbushin vet. T’i manipulojnë votat vet. Të prodhojnë rezultatin që s’e marrin dot me besimin e qytetarëve. Përse? Sepse e kanë kuptuar një të vërtetë të madhe: Mërgata nuk mashtrohet më. Mërgata nuk blihet. Mërgata po ndryshon”.
(Kosova Sot Online)
