Krasniqi: Çfarë tjetër duhet të bëjnë Alban Krasniqi e Sami Kurteshi që të shkarkohen
Analisti politik, Albert Krasniqi, ka shtruar pyetjen se “çfarë tjetër duhet të bëjnë” dy anëtarët e Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi, që të shkarkohen nga KQZ, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ai tha se këta dy në mënyrë të përsëritur, ata kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme që cenojnë drejtpërdrejt integritetin e zgjedhjeve.
“Që nga shkarkimi i Valdete Dakës nga Presidentja Osmani – një vendim në shkelje të Kushtetutës dhe mbi akuza të fabrikuara nga VV – kjo dyshe vepron me bindjen se është e paprekshme, duke e përshkallëzuar sjelljen destruktive brenda KQZ-së. Nuk është rastësi që objektivi i tyre janë gratë në KQZ, përfshirë ish-Kryesuesen dhe dy anëtaret e komuniteteve jo-shumicë, si dhe më pas gazetarët dhe shoqëria civile, ndaj të cilëve krijojnë “vija imagjinare” se ku duhet të qëndrojnë dhe ushtrojnë presion. Me burrat e partive politike nuk ua mban”.
Ky selektivitet, sipas Krasniqit, tregon qartë se kemi të bëjmë me ushtrim pushteti dhe frikësim të qëllimshëm ndaj kategorive të pambrojtura.
“Ndërkohë që heshtja dhe abstenimi i opozitës vetëm sa u japin atyre hapësirë e justifikim për të vazhduar”, tha ai.
(Kosova Sot Online)
