Kosova sot do të votojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare
Kosova sot, e diel 28.12 2025 do të votojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Më shumë se 2 milionë votues janë thirrur për të votuar për të dytën herë brenda vitit për vendet në parlament, pas dështimit të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes për të patur mbështetjen e nevojshme për mandatin qeverisës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht. Në garë për të zënë një vend në Kuvendin e Kosovës janë gjithsej 1.146 kandidatë për deputetë nga 23 subjektet politike të cilat garojnë në këto zgjedhje.
Një delegacion prej gjashtë anëtarësh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), i kryesuar nga Yunus Emre (Türkiye, SOC), do të qëndrojë në Kosovë nga 27 deri më 29 dhjetor për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Delegacioni i PACE do të takohet me udhëheqës dhe përfaqësues të partive kryesore politike, përfshirë partitë që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë, Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kryetarin e Panelit të Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore, si dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, OJQ-ve dhe medias, përpara se të vëzhgojë votimin më 28 dhjetor.
Gjithashtu, një ekspert i Komisionit të Venedikut – grupi i ekspertëve të pavarur ligjorë të Këshillit të Evropës, do të ofrojë mbështetje ligjore gjatë vizitës.
(Kosova Sot Online)
