Asnjë faktor i rëndësishëm ndërkombëtar nuk i beson më Vuçiqit

  • A.P /
  • 06 May 2026 - 08:00
Asnjë faktor i rëndësishëm ndërkombëtar nuk i beson më Vuçiqit

Slobodan Divjak, president nderi i Shkollës Ndërkombëtare të Filozofisë “Felix Romuliana”, vlerëson se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e paraqet publikisht situatën e tensionuar globale si arsye thelbësore për të mos thirrur zgjedhje republikane, duke pretenduar se fushatat parazgjedhore do të trondisnin unitetin politik dhe do ta dobësonin shtetin në një moment kur, sipas tij, Serbisë i duhet të jetë e gatshme të mbrohet nga kërcënimet e jashtme ndaj pavarësisë dhe sovranitetit.

Sipas Divjakut, kjo narrativë shoqërohet me thirrje për armatim sa më të madh dhe për forcim të strukturave të sigurisë, policisë dhe ushtrisë, bashkë me kërkesa për largimin e elementëve që ai i përshkruan si të “lëkundur”, “të pabesë” dhe “antipatriotë”.

Në analizën e tij, Divjak thekson se përvoja historike tregon se shtetet e vogla nuk mund të ndikojnë në zhvillimet globale në mënyrë të pavarur dhe se, në rastin më të mirë, mund të hyjnë në aleanca me vende që ai i quan “në anën e duhur të historisë”.

Ai shton se politika e jashtme “ad hoc” e Vuçiqit, pa synim strategjik, ka përfunduar në “debakël” dhe e ka çuar Serbinë drejt izolimit, duke vlerësuar se faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë nuk i besojnë më.

Divjak e kundërshton tezën se zgjedhjet parlamentare do të ishin kundërproduktive në rrethanat aktuale, duke marrë si shembull Hungarinë, ku  sipas tij, zgjedhjet e fundit parlamentare sollën humbjen e një sistemi autokratik të paligjshëm dhe i hapën rrugë rindërtimit të autoritarizmit në një shtet ligjor, të cilin ai e konsideron më të fortë pasi mbështetet në liri dhe të drejta individuale.

Sipas Divjakut, presidenti serb, përballë një rënieje të ndjeshme të vlerësimeve, e sheh kërcënimin kryesor nga brenda vendit dhe po e përdor klimën e tensionuar botërore për të krijuar “armiq fiktivë” dhe për të ekzagjeruar rrezikun e një lufte botërore, me qëllim që të justifikojë thirrje për armatim maksimal, vendosje të “rendit” dhe “disiplinës së rreptë”, raporton Danas.

Ai vlerëson se këto thirrje duhen kuptuar si sinjal për ngritje të represionit të brendshëm në nivelin më të lartë për mbrojtjen e regjimit, duke shtuar se, për shkak të dyshimeve mbi bindjen e aparateve të forcës së rregullt në kushtet e rebelimit shoqëror, spastrime të vazhdueshme brenda tyre synojnë një afrim dhe simbiozë mes formacioneve paramilitare dhe strukturave zyrtare.

Në këtë kontekst, Divjak përmend edhe atë që e cilëson si kërcënim të ri, duke pretenduar se është dërguar mesazhi se policia “ka të drejtë t’i rrahë dhe t’i vrasë” ata që konsiderohen të rrezikshëm, mesazh që, sipas tij, synon veçanërisht studentët dhe një listë të mundshme zgjedhore të tyre.

Ai shton se, sipas autoriteteve, në krye të kësaj liste mund të jetë Rektori Dokiq, vlerësimi i të cilit  sipas Divjakut, është rritur ndjeshëm, ndërsa në qytet janë shfaqur grafite ku ai etiketohet si “vrasës”.

Divjak vëren se disa komentues e shohin këtë zhvillim si shenjë se “fashizmi” është në veprim, por ai bën dallimin mes fashizmit dhe nazizmit, duke e përshkruar të parin si “operetë” krahasuar me brutalitetin e strukturave naziste.

Megjithatë, ai shton se fronti opozitar, nuk po tërhiqet përballë kërcënimeve, por po shfaq guxim dhe vendosmëri.

Ai paralajmëron se realizimi i një skenari të dhunës ekstreme do të mund të aktivizonte të drejtën legjitime të popullit për vetëmbrojtje të armatosur dhe do ta ndërkombëtarizonte krizën.

Në përfundim, Divjak argumenton se hapja e zjarrit ndaj qytetarëve, veçanërisht ndaj të rinjve, do të ishte “kënga e mjellmës” e një qeverie tiranike, ndërsa e konsideron më realiste që kërcënimet e përmendura të shihen si “mashtrim” i një pushteti të kapluar nga paniku, që  ka krijuar një “përbindësh” në një shoqëri të qytetëruar. 

(Kosova Sot Online)