Zeqa: Fushata e shkurtër zgjedhore do të ndikojë në përsëritjen e abuzimit me votën e qytetarëve

Zeqa: Fushata e shkurtër zgjedhore do të ndikojë në përsëritjen e abuzimit me votën e qytetarëve
Zeqa: Fushata e shkurtër zgjedhore do të ndikojë në përsëritjen e abuzimit me votën e qytetarëve

Florim Zeqa

  • 06 May 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Buxheti i ndarë nga Qeveria e Kosovës prej rreth 10.8 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare jo vetëm që është i paarsyeshëm, por është tepër i fryrë në krahasim me zgjedhjet e mëhershme në Kosovë!

 

-Pothuajse kemi dyfishim të kostos së zgjedhjeve të viteve 2019 dhe 2021, kurse kemi rritje enorme nga zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit 2025!

Kjo rritje e kostos së zgjedhjeve duhej të ishte në proporcion me rritjen e pagave të shërbyesve civilë në Kosovë, ndryshe nuk justifikohet me asgjë shuma e lartë e ndarë për KQZ-në, e cila jo që nuk ka angazhime, por është e stërngarkuar me komisionerë dhe vëzhgues të shumtë dhe të panevojshëm!

Nëse i referohemi digjitalizimit të procesit të numërimit, atëherë gjithçka del jashtë normave të rritjes së stafit të KQZ-së për më pak se 1 milion votues në Kosovë!

Afati i shkurtër i mbajtjes së zgjedhjeve mund të shoqërohet me parregullësi të mëdha në pastrimin e listave zgjedhore, në regjistrimin e votuesve të rinj dhe atyre nga diaspora.

Lirisht mund të thuhet se janë të pamjaftueshme afatet dhe mekanizmat për regjistrimin dhe votimin e diasporës për të siguruar përfshirje të gjerë dhe të plotë të mërgatës sonë!

Nëse i referohemi kohës së gjatë përgatitore që kishte KQZ-ja për zgjedhjet e rregullta të 28 dhjetorit 2025, në të cilat u përfshi një numër tejet i vogël i votuesve nga diaspora, në zgjedhjet e 7 qershorit rrezikon të ketë parregullsi dhe mangësi enorme në këtë drejtim, të cilat do t’i lënë jashtë procesit zgjedhor pjesën dërrmuese të mërgatës sonë!

Fushata e shkurtër zgjedhore do të ndikojë në cilësinë e procesit demokratik, respektivisht në përsëritjen e abuzimit me votën e qytetarëve!

Mosndëshkimi nga ana e drejtësisë i abuzuesve të votës së qytetarëve (komisionerëve dhe kandidatëve për deputetë) mund të ndikojë tejet negativisht në këtë proces zgjedhor, pasi tendenca e vjedhjes së votës do të rritet akoma më shumë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".