Ndarja e Kosovës dhe pse dështoi treshja Vuçiç-Rama-Thaçi

Ndarja e Kosovës dhe pse dështoi treshja Vuçiç-Rama-Thaçi
Ndarja e Kosovës dhe pse dështoi treshja Vuçiç-Rama-Thaçi

Tomorr Alizoti

  • 01 May 2019 - 14:06

Një re e zezë e dhe e rrezikshme, që u shty nga rryma po kaq të zeza mbi kryet e shqiptarëve, duket se u shpërnda në Berlin. Kancelarja gjermane Angela Merkel, figura politike më e fortë e Europës, epitomë e seriozitetit dhe e korrektësisë gjermane, e rrëzoi në tokë idenë e ndarjes së Kosovës apo të shkëmbimit të territoreve mes saj dhe Serbisë.

Sigurisht që forcat që e shtynë këtë re janë aty, do të përpiqen sërish t’i mbledhin pjesët e saj, siç kanë bërë për dekada e dekada me radhë.

Ideja e ndarjes së Kosovës ka një zanafillë të vjetër. Në kapërcyell të shekullit të 19-të serbët mendonin se ata do të duhet të ishin drejtuesit e sllavëve të jugut, do të duhet të shtynin përpara bashkimin e tyre në një shtet të vetëm, i cili do të mund të fillonte nga veriu i Sllovenisë deri në jug, mundësisht deri në Selanik. Që prej fundit të sekullit të 17-të, kur Pjetri i Madh themeloi perandorinë ruse duke e bërë një fuqi të rëndësishme për herë të parë në historinë e saj, rusët u bënë mbështetësit kryesorë të fuqizimit të rolit të serbëve, të bashkimit të tyre dhe të themelimit të një mbretërie të sllavëve të jugut, e cila do të zbriste deri në jug të Ballkanit. Rusët kishin interesa gjeopolitike shumë më të gjera sesa Ballkani dhe për këtë arsye shtynin përpara ambiciet e një shteti të tillë serb.

Nga ana tjetër, serbët jetonin prej gati katër shekujsh me mitin e perandorisë së dikurshme të shekujve 12 dhe 13, me mitin e car Llazarit dhe të Millosh Kopiliqit. Për serbët, beteja e Fushë-Kosovës kundër osmanëve në fund të shekullit të 14-të ishte në njëfarë mënyre miti themelues. Serbët e konsideronin Kosovën Stara Serbia, Serbia e Vjetër. Për serbët Kosova ishte zemra e Serbisë dhe çdo shtet i ardhshëm serb nuk mund të ngrihej pa pasur Kosovën pjesë të tijën.

Kur serbët nisën kryengritjen kundër osmanëve në vitet 1804 dhe 1805, ata e kishin të qartë se shteti apo mbretëria e re serbe do të zgjerohej me Kosovën dhe mundësisht të bashkonte edhe të gjithë sllavët e jugut në një shtet. Në vitin 1944, Ilija Garashinin shkruan Nacertanien, dokumentin e turpshëm të nacionalizmit serb, sipas të cilit shqiptarët do të duhet të dëbohen nga Kosova dhe nga territoret në të cilat serbët synonin të ngrinin mbretërinë apo shtetin e tyre. Garashinin, i cili më pas u bë ministër i Brendshëm, Kryeministër dhe përfaqësues i mbretit, flet për dëbime me gjenocide, me rrafshim pronash dhe shtëpish, me pamundësim ekonomik, me moslejim të arsimit dhe gjuhës etj. Ky dokument u mbajt sekret deri në vitin 1906. Nacertania ka qenë platformë edhe për Kryeministrin Pashiç, për krajl Nikollën, për Vaso Çubrilloviqin, për Ivo Andriçin, për Aleksandër Rankoviçin, për Dushan Mugoshën, për Vukmanoviç Tempon dhe sigurisht, edhe për Milosheviçin.

Mbretëria e Serbisë, pas vitit 1815 kur nisi të marrë jetë, u rrit vazhdimisht dhe pas Luftës së Parë Botërore serbët ia arrijnë të themelojnë mbretërinë e quajtur serbo-kroate–sllovene, në të cilën përfshihet edhe Kosova. Vitet 20 të shekullit të kaluar janë vite të përgjakshme për shqiptarët në Kosovë, janë vite kur ekzekutohet Naçertanie, janë vite dëbimesh dhe dhune ekstreme. Lufta e Dytë Botërore çoi në themelimin e Jugosllavisë, e cila sërish mbajti gjallë frymën e vjetër të nacionalizmit serb për të pasur një shtet të përbashkët të sllavëve të jugut, në të cilin sigurisht do të ishte edhe Kosova dhe mjaft territore shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi, të shkëputura nga trungu amë që nga Kongresi i Berlinit.

Shpërbërja e Jugosllavisë ishte një dramë për shumë popuj të kësaj federate, por edhe një dramë për nacionalizmin serb. Serbët, duke e kuptuar se Jugosllavisë po i vinte fundi, u përpoqën të merrnin territore sa më të mëdha. Në fillim, ata pasi nuk mbajtën dot Slloveninë, u përpoqën të ruajnë një pjesë shumë të madhe të Kroacisë, të ruajnë sidomos ato territore, në të cilat banonin serbë. Kjo u bë e pamundur për shkak të reagimit të fortë të kroatëve, të cilët fituan pavarësinë. Ndihma e Gjermanisë dhe e Austrisë ishte vendimtare për kroatët. Më pas serbët iu sulën Bosnjës, duke shkaktuar aty një gjenocid të tmerrshëm. Pas marrëveshjes së Dejtonit Bosnja fitoi pavarësinë, por në të dyja anët e pjesës myslimane të Bosnjës u ngrit Republika Srpska, që kontrollohet nga serbët. Republika Srpska është gati e barabartë në sipërfaqe me pjesën tjetër të Bosnjës.

Kosova ishte viktima e fundit e gjenocidit serb. Të gjitha traktatet politike të nacionalizmit serb, që prej atij të Garashininit e deri tek ai i Çubrilloviçit, që prej atij të Qosiçit e deri ai i Andriçit u vunë në jetë gjatë luftës në Kosovë.

Bota demokratike, Bashkimi Europian, SHBA, Republika e Turqisë ishin mbështetësit më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës. Këto vende njohën ndarjen e saj të plotë nga Serbia, ranë dakord që Kosova të jetë shtet më vete i pandashëm dhe multietnik, i cili do të ecte drejt rrugës së integrimit në BE.

Pas Millosheviçit, forcat e opozitës Sebe DOS (Xhinxhiç, Drashkoviç, Koshtunica etj.) morën pushtetin. Pas tyre erdhi në pushtet Tadiç. Sigurisht që as liderët e DOS dhe as Tadiç nuk kishin fuqi të tejkalonin qëndrimin e nacionalizimit serb për Kosovën, por gjithsesi qëndrimet e tyre janë më të moderuara. Pas tyre rivijnë në pushtet forcat ekstremiste të nacionalizmit serb.

Aleksandër Vuçiç ka qenë në rininë e tij gazetar në radion e Radovan Karaxhiç, më pas ka qenë ministër i Millosheviçit. Vuçiç arriti të marrë kontrollin e Partisë Progresive të ish-presidentit Nikoliç. Kjo parti vjen nga partia e kriminelit të njohur Vojslav Sheshejl. Vuçiç arriti të bëhet kryetar i kësaj partie si figura e re, që do të bënte kalimin e brezave. Para se të bëhej kryetar i Partisë Progresive, qëndrimet e Vuçiç për Kosovën dhe luftën në Bosnje janë të tmerrshme. Ai ka sulmuar të gjithë ata politikanë serbë, që donin të çonin në Hagë Milosheviçin, Karaxhiçin, Mlladiçin etj.. Ai ka thënë se kurrë nuk do të ketë një Krajina të Kroacisë, një Banja të Kroacisë, kurrë nuk do të ketë një Bosnjë të pavarur, kurrë nuk do të ketë Kosovë. Nuk do të ketë kurrë Serbi pa Kosovë. Në gazetën e Partisë Radikale, «Velika Serbija», Serbia e Madhe, ku Vuçiçi ishte anëtar i redaksisë dhe i këshillit botues, është paraqitur platforma për Kosovën. Platforma thotë: “Pa Kosovë e Metohi, nuk ka as shtet serb. Mu për këtë, ruajtja e Kosovës e Metohisë si pjesë përbërëse dhe integrale e Serbisë, për nga rëndësia është e barabartë me vetë ekzistencën e kombit serb…”. Platforma hedh idenë edhe të një ndarjeje të mundshme të Kosovës.

Ndarja e Kosovës është një tezë e njohur e nacionalizmit serb. Për herë të parë ajo është artikuluar nga nacionalistët serbë në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Më vonë, gjatë kohës kur nisën luftërat në Jugosllavi, kjo tezë është hedhur për qarkullim shpesh. Kjo është një tezë rezervë e nacionalizmit serb, që ndryshon vetëm nga pikëpamja formale me projektin e Garashininit apo të Çubrilloviçit. Në rast se Serbia nuk ka mundësi të ndërtojë një shtet të madh ku të bashkojë sllavët e jugut, atëherë duhet të mos i lejojë territoret që ajo pretendon të jenë të qëndrueshme, duhet t’i ndajë ato dhe t’i kontrollojë me anë të ndarjes ose t’u pamundësojë atyre ekzistencën qoftë ekonomike, qoftë gjeopolitike apo ushtarake.

Teza e shkëmbimit të territoreve me Serbinë u shfaq për herë të parë si një mundësi reale e përmbylljes së dialogut Kosovë-Serbi rreth një vit më parë. Siç dihet, Kosova dhe Serbia janë në një dialog prej vitesh, dialog i cili synon të përmbyllet me një marrëveshje mes dy vendeve, ku Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Teza e shkëmbimit të territoreve, e fshehur pas togfjalëshit korrigjim kufijsh, u hodh në shtyp fillimisht nga gazetari Baton Haxhiu, një njeri i afërt i Kryeministrit Rama dhe i Presidentit Thaçi. Më pas, vetë Presidenti Thaçi foli për shkëmbim territoresh. Ai tha se shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të fortë aspiratën për bashkim me Kosovën dhe se ai(Thaçi) nuk mund të mos e merrte parasysh. Baton Haxhiu e mbrojti me forcë edhe publikisht shkëmbimin e Veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës. Kryeministri Rama ishte qartësisht pas këtyre propozimeve dhe pas kësaj teze.

Pra, u arrit që një tezë e vjetër serbe, që praktikisht do të rrënonte pavarësinë e Kosovës dhe t’u jepte një shtysë të re ideve të vjetra të nacionalizmit serb, duke bërë të paqëndrueshme dhe duke i rrezikuar ekonomikisht së paku dy vende, Kosovën dhe Bosnjën, të hyjnë si propozim dhe lobim i Presidentit të Kosovës dhe Kryeministrit shqiptar. E pabesueshme.

Njeriu i parë që reagoi fuqimisht dhe që i vuri flakën kësaj teze të poshtër antishqiptare ishte ish-Kryeministri Berisha. Ai e kundërshtoi dhe tha se ajo është tezë që dëmton Kosovën dhe favorizon Serbinë, është tezë që vjen nga argatë të Beogradit. IshKryeministri Berisha u kundërshtua dhe u sulmua ashpër nga Presidenti Thaçi, megjithatë opinioni publik e përkrahu Berishën. Kjo ishte pika që nisi vdekja e kësaj teze. Më pas, Kryeministri Haradinaj kundërshtoi po kaq ashpër. Partia Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha e kundërshtoi fort ndarjen e Kosovës, duke e quajtur atë një opsion serb që shkatërron pavarësinë e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi gjithashtu. Presidenti Meta dhe mjaft figura të larta politike në Kosovë dhe në Shqipëri u rreshtuan kundër ndarjes së Kosovës. Kundërshtimi energjik i Berishës ktheu të gjithë opinionin. Kryeministri Rama dhe Presidenti Thaçi u izoluan. Ata u përpoqën me anë të mjeteve të ndryshme, sidomos propagandës dhe lobimit, të bindin njerëz dhe ta shesin tezën e vjetër serbe si tezë që i shërben Kosovës, por nuk patën sukses.

Qëndrimet e Kancelarive të mëdha në Europë ishin kundër ndarjes. Gjermania kishte folur qartë, por Thaçi dhe Rama këmbëngulnin në lobimet dhe përpjeket e tyre. Serbët nga ana tjetër ishin mjaft aktivë. Vuçiç angazhoi të gjithë potencialin e tij dhe të qeverisë për të çuar përpara tezën e ndarjes së Kosovës. Komisionerja për Politikë të Jashtme e BE-së, Megherini, një liberale e majtë që vinte nga lëvizjet e dikurshme komuniste, doli pro Thaçit dhe Ramës. Gjithsesi, këto nuk mjaftuan. Në Berlin, Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron e bënë të qartë se plani për ndarje të Kosovës apo për korrigjim kufijsh nuk do të pranohet.

Rama, Thaçi e Vuçiç janë tre humbësit e mëdhenj. Secili e shtyu këtë plan për interesa të tijat. Vuçiç për të mbajtur gjallë tezat e vjetra të nacionalizmit serb. Thaçi dhe Rama duket se kërkonin që përmes realizimit të shkëmbimit të territoreve të shfaqeshin si politikanë të rëndësishëm, që mbajnë gjallë gjëra të mëdha. Që garantojnë marrëveshje rajonale. Rama dhe Thaçi synonin që me këtë marrëveshje të shkonin si njerëz të besueshëm dhe të fortë në Kancelaritë e mëdha dhe në Shtëpinë e Bardhë.

(Kosova Sot)