Avdullah Hoti si Hashim Thaçi, injoron krimet dhe dëmet e luftës në dialogun me Serbinë, bisedon për kthim të serbëve dhe asociacionin serb

Avdullah Hoti si Hashim Thaçi, injoron krimet dhe dëmet e luftës në dialogun me Serbinë, bisedon për kthim të serbëve dhe asociacionin serb

Gani Qarri

  • 13 September 2020 - 13:10

Shkruan: Gani Qarri

“Në dialogun me Serbinë për marrëveshjen finale, njëjtë siç vepronte edhe Hashim Thaçi më parë, edhe delegacioni i Kosovës i kryesuar nga Avdullah Hoti, jo vetëm që nuk ka ngritë çështjen e krimeve të luftës, por në top prioritet ka vendosur përsëri çështja e kthimit të të ashtuquajturve, “të zhvendosur serb” dhe jo temat e dhimbshme të gjenocidit mbi shqiptarët, përdhunimet e mbi 20 mijë femrave përfshi edhe vajza minorene si dhe krimet e luftës nga Serbia. Për aq më tepër, kësaj çështje edhe në marrëveshjen e Uashingtonit, i është dhënë rëndësi fare simbolike, kurse në prioritet është rikthyer serish çështja e temave të shpenzuara në dialogun paraprak për çështje teknike, sikur numri i fryrë dhe stërmadhuar për disa herë, i të zhvendosurve serb pas lufte, temë kjo tërësisht e shteruar gjatë dialogut gati 10 vjeçar për çështje teknike me Serbinë”.

Edhe mbi dy dekada pas përfundimit të luftës dhe më tepër se 12 vite të kaluara nga shpallja e pavarësisë, shteti i Kosovës ende nuk ka arritur të bëjë asnjë dokumentim të saktë dhe të plotë të krimeve që ka kryer gjatë viteve të okupimit, Serbia në Kosovë. Madje, siç nuk është bërë mjaftueshëm në evidentimin dhe dokumentimin e gjenocidit dhe vrasjes së shqiptarëve nga Serbia në vendin tonë, si dhe mbledhjen e argumenteve nga dëshmitarët okularë e të mbijetuarit e luftës dhe ata të masakrave të ndryshme anë e këndë Kosovës, nga kuislingët e vendit, nuk është lejuar as ngritja, qoftë edhe e një padie të vetme edhe nga personat privat kundër kriminelëve serb, për gjenocidin që ata kryen në mënyrë të organizuar shtetërore, ndaj shqiptarëve. Kështu që edhe nëse ndokund është bërë diçka e vogël në këtë drejtim, e gjitha është realizuar në baza vullnetare dhe atë jo nga shteti, i sunduar prej bandave kriminale, ku nuk funksionon ligji as gjyqësia, por nga organizatat e ndryshme të shoqërisë civile.

Për aq më tepër, brengosë shumë fakti se edhe në negociatat që kanë rifilluar dhe po zhvillohen serish, pa parime as platformë shtetërore, ashtu si i konvenon vetëm Serbisë si shtet okupator, nga delegacioni kosovar përsëri po vijon të mos bëhet trajtimi i krimeve të luftës, dhunës seksuale dhe ai i kthimit të zhdukurve shqiptar, që tash e mbi 21 vite, mbahen peng edhe për së vdekuri, në Serbi. Kjo çështje e dhimbshme, jo vetëm se nuk është zgjidhur, por edhe ka mbetur pezull dhe mision i pa përmbushur asnjëherë nga Kosova, megjithëse tash e mbi dy dekada, është e lirë dhe mbi 12 sosh, shtet i pavarur. Madje nëse gjendjen e shohim nga perspektiva e pasqyrimit të fakteve me shifra, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, vetëm në dy vitet e luftës 1998-1999, nga forcat okupuese policore dhe ushtarake të Serbisë, janë vrarë dhe zhdukur mbi 13 mijë e 500 qytetarë të Kosovës, përfshi edhe 1 mijë e 4 00 fëmijë, 20 mijë femra të përdhunuara dhe më tepër se 400 masakra anë e këndë Kosovës. Këto fakte dhe të dhëna, janë aq të besueshme, sa që janë përdorur edhe nga institucionet dhe instancat më relevante, vendore e ndërkombëtare. Ndërsa që nga përfundimi i luftës, prej të gjitha krimeve dhe gjenocidit që ka bërë Serbia në Kosovë, plaga më e thellë e mbetur hapur tash e mbi 21 vite me radhë, është mos zbardhja e fatit të 1654 personave të pagjetur dhe mbajtja peng edhe për së vdekuri, nga Serbia , familjet e të cilëve tash e mbi dy dekada i presin zemërthyer dhe me varre të hapura, pa marrë asnjë përgjigje për kthimin e trupave të tyre në atdhe dhe vendlindje. Por megjithatë edhe në fazën përfundimtare të bisedimeve me Serbinë, nga vet kryeministri Hoti dhe delegacioni i Kosovës për negociata, të vrarëve dhe mbi 20 mijë femrave të përdhunuara nga soldateska pushtuese serbe, u është mohuar tërësisht qasja në drejtësi, ndaj dhe vazhdojnë jo vetëm të injorohen, por edhe të nënçmohen në mënyrë perfide, sidomos tema e gjenocidit ndaj shqiptarëve, përdhunimet dhe krimet tjera të luftës në Kosovë, që morën jetën e 13 mijë e 500, burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm shqiptarë. Atyre jo vetëm që u pamundësohet përmbushja e të drejtës për dëmshpërblim, por u është mohuar tërësisht edhe qasja minimale në drejtësi, gjë që është shkelja më e rëndë e të gjitha standardeve ndërkombëtare, e të drejtave dhe lirive të njeriut, e cila të paktën do duhej të përfshihej në marrëveshjen e bashkëpunimit të ndërsjellë ligjor, për ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe krimet e dhunës seksuale në juridiksionet e të dy vendeve. Në dialogun me Serbinë për marrëveshjen finale, njëjtë siç vepronte edhe Hashim Thaçi më parë, edhe delegacioni i Kosovës i kryesuar nga Avdullah Hoti, jo vetëm që nuk ka ngritë çështjen e krimeve të luftës, por në top prioritet ka vendosur përsëri çështja e kthimit të të ashtuquajturve, “të zhvendosur serb” dhe jo temat e dhimbshme të gjenocidit mbi shqiptarët, përdhunimet e mbi 20 mijë femrave përfshi edhe vajza minorene si dhe krimet e luftës nga Serbia. Për aq më tepër, kësaj çështje edhe në marrëveshjen e Uashingtonit, i është dhënë rëndësi fare simbolike, kurse në prioritet është rikthyer serish çështja e temave të shpenzuara në dialogun paraprak për çështje teknike, sikur numri i fryrë dhe stërmadhuar për disa herë, i të zhvendosurve serb pas lufte, temë kjo tërësisht e shteruar gjatë dialogut gati 10 vjeçar për çështje teknike me Serbinë. Po ashtu edhe në raportimet e fundit të mediave nga Brukseli, çuditërisht BE serish paralajmëron,bisedime të reja Kosovë-Serbi për pozitën e komuniteteve dhe marrëveshjet e arritura më herët, por jo për krimet e luftës dhe gjenocidin e Serbisë mbi shqiptarët, duke përfshirë këtu edhe temën antiligjore, të hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e vendit, mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili nëse realizohet sipas kërkesave të Serbisë, do ta bosnjizojë edhe Kosovën.

Ndaj përveç ofrimit falas të tregut mbi gjysmë miliardi euro të Kosovës të cilin Serbia me futjen e Kosovës në "Minishengenin" serb, do ta shfrytëzoi pa asnjë taksë as pengesë, ky shtet okupator, jo vetëm që nuk pranon reciprocitet ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, por as të drejta të barabarta për shqiptarët e Kosovës Lindore me serbët në Kosovë, të cilët janë shumë më të pakët në numër, në vendin tonë. Kështu që, siç theksoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Peter Stano edhe në këto bisedime, përveç të të ashtuquajturve të "shpërngulur" serb, me pajtimin e vet delegacionit të Kosovës të kryesuar nga Avdullah Hoti, as që do të përmendet statusi i shqiptarëve të Kosovës Lindore. Akt ky, i cili përveç statusit të vendit, do duhej të ishte pjesa më thelbësore dhe më me rëndësi e bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjë që, të paktën në këto momente të fundit dhe më vendimtare, duhet ti nxisë sadopak edhe vet shqiptarët në Preshevë, Medvegj e Bujanoc, ta ngritin zërin për shkeljen e të drejtave të tyre dhe padrejtësinë e madhe që po u bëhet, duke i përjashtuar edhe nga marrëveshja finale Kosovë-Serbi, ngase bisedimet e këtij lloji nuk do të përsëritën, pasi ta mësojmë ne, se ç`po ndodhë dhe sa herë u kalojnë para hundëve rastet, pa i shfrytëzuar shqiptarët.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".