LDK mes ndryshimit dhe vazhdimësisë!

LDK mes ndryshimit dhe vazhdimësisë!
LDK mes ndryshimit dhe vazhdimësisë!

Florim Zeqa

  • 01 mars 2021 - 10:15

"Rugovistët" në listën e LVV-së janë sikur ajo këngëtarja e veshur në petkun kombëtar që këndon në gjuhën angleze! "Kënga e rugovistëve" brenda LVV-së është aq e pakuptimtë dhe e pashije sa edhe vetë kënga shqip e kënduar në gjuhën angleze!

Një reflektim ndryshe, parakusht për ndryshim

Pas debaklit në zgjedhjet e 14 shkurtit e kam pritur një reflektim krejt ndryshe nga degët dhe nëndegët, nga aktivistët dhe elektorati rugovian i LDK-së!

Pas "dorëheqjes" së liderit të partisë, është vetëm një kryetar dege që reflektoi pozitivisht pas humbjes edhe pse dega e LDK-së nga ai vjen qeverisë suksesshëm me komunën, ndërsa degët tjera në mbarë Kosovën po heshtin thuajse nuk ka ndodhur asgjë!

Në vitin 2015, kur unë kërkoja me ngulm largimin e kreut të LDK-së, një eksponenti të lartë të LDK kur i dërgova pyetjet për një intervistë për gazetë, më ishte shprehur kështu; "jam i gatshëm të përgjigjem në çdo pyetje, por jo edhe rreth LDK-së, për arsye se i kam ambiciet e mia politike...", ndërsa pas "dorëheqjes" së liderit është ndër më të zëshmit që po kërkon me të drejtë jo dorëheqje, por shkarkimin e kryetarit dhe të kryesisë!

Dy vite më vonë, një eksponent tjetër i lartë, jo më pak i rëndësishëm se i pari, gjatë periudhës së fushatës së zgjedhjeve komunale, si kundërpërgjigje ndaj kërkesave të mia për dorëheqjen e liderit të partisë, në një tubim elektoral i kishte thënë familjarit tim; "Florimi na ka dalë prej dore, po na kritikon shumë...", ndërsa i njëjti sot e akuzon liderin e "dorëhequr" për autoritarizëm dhe shkatërrim të partisë!

Sa miq të tjerë më janë hidhëruar për kritikat ndaj liderit aktual të LDK-së, kurse sot po i thonë të njëjtat që unë i kam thënë vite më parë dhe në vazhdimësi deri në ditët e sotme.

Unë nuk mbajë mëri ndaj askujt pse mendon ndryshe, as ndaj atyre që më kritikojnë, por nuk ua fali kurrë atyre që më lëmojnë shpatullat, kurse pas shpinde mundohen të më rrënojnë!

Kam qenë dhe jam mbështetës i fuqishëm i grupit reformator brenda LDK-së, por jo edhe i atyre që pakënaqësinë e tyre e kulmojnë me kalim në ndonjë parti tjetër politike.

Isha dhe jam kundër kalimit të disa "dardanëve" në LVV, jo për shkaqe subjektive por parimore, për arsyen e thjeshtë se rugovizmi nuk mbrohet me antirugovizëm, por me përkushtim dhe dashuri brenda kalasë rugoviane.

Fundja, nuk ka asgjë të keqe nga kalimi individual në një subjekt tjetër politik, mirëpo e keqja e madhe është pse ndodhi bartja e votës së elektoratit rugovian në subjektin më antirugovian në Kosovë.

Hapni rrugë ndryshimeve substanciale në LDK

Posti i liderit te partisë, si post unifikues dhe simbol i shpërndarjes së frymës rugoviane, nuk guxon të bëhet subjekt i ndarjes dhe përçarjes së elektoratit dhe as motiv i ikjes së elektoratit nga LDK-ja në një subjekt tjetër politik.

Lideri i ardhshëm i partisë duhet të jetë një figurë unifikuese, i pranueshëm nga të gjithë, simbol nxitës për kthimin e të gjithë të larguarëve nga ky subjekt politik.

Reflektimi pozitiv nga kryesia dhe këshilli i përgjithshëm në kuvendin e jashtëzakonshëm të 14 marsit për hapje rrugë të ndryshimeve, do të thotë hapje rrugë atyre që e kanë dijen, vullnetin dhe guximin  për ta kthyer besimin e elektoratit në subjektin e traditës demokratike, për ta kthyer LDK-në rugoviane një herë e përgjithmonë kah vlerat e saj tradicionale demokratike. 

Caktimi i një grupi punues nga figura unifikuese, nga veprimtar të devotshëm dhe të dëshmuar të frymës rugoviane për përgaditjen e zgjedhjeve të rregullta dhe demokratike brenda partisë, do të krijonte kushtet për një proces të rregullt zgjedhor në LDK, do të hjekte të gjitha dilemat për mundësinë e ndikimit të liderit aktual në caktimin e kandidatëve për forumet e reja të partisë.

Vetëm mundësia e shprehjes së lirë të vullnetit të elektoratit, gjegjësisht reformimi i thellë nëpër nëndegë dhe degë do të garantonte kushtet për krijimin e një bazamenti të shëndosh, të pastër dhe prospeures të LDK-së rugoviane për ballafaqim me elektoratin në zgjedhjet komunale.

Ka ardhur momenti i fundit që LDK-ja të reformohet dhe freskohet me kuadro të reja, të përgaditura dhe të specializuara, me veprimtar të orëve të para të LDK-së si në Kosovë dhe gjithë andej vendeve evro-perëndimore, që janë të gatshëm në mënyrë vullnetare të  kontribuojnë edhe një herë për të mirën e vendit sikur në vitet e '90-ta, pa asnjë kompenzim material, pa asnjë ambicie pushteti apo privilegji shtetëror, për t'ju treguar dezertorëve dhe mercenarëve, kusarëve dhe matrapazëve, karrieristëve dhe lakmitarëve të pushtetit sesi punohet për shtet dhe atdhe pa llogaritur në poste dhe privilegje personale.

LDK-ja rugoviane është vlerë dhe pasuri kombëtare, është vetë historia dhe gurthemeli i shtetit të Kosovës. Andaj, mbrojtja e kësaj vlere kombëtare është obligim i secilit prej nesh, qoftë anëtarë apo mbështetës i filozofisë politike rugoviane.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".