
Lexoni edhe:
Prenka: Kurti ka arritur të ndërtojë një narrativë ku ai është ‘viktima’ e strukturave të vjetra
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Pozicionet pozitë-opozitë ishin përcaktuar para se të fillonte seanca e Kuvendit. Kërkesat e palëve ishin të qarta: Pozita, e përfaqësuar nga Albin Kurti, me LVV dhe aleatët e saj, pretendonte presidentin, sepse sipas Kurtit, i takon fituesit të zgjedhjeve.
-Opozita, "mos i qoftë për kob", – siç thonë plakat, ngulmonte se presidenti i takon opozitës. Arsyetimi ishte goxha i bazuar:
Asnjëherë nuk ka ndodhur që fituesi të ketë tri postet kryesore;
Kurti çdo ditë e më shumë po manifeston autokracinë, me vendime autoritare, personale, tipike si në kohën e diktaturës komuniste. Opozita është e frikësuar se vendi mund të rrëshqasë në monizëm, përkatësisht komunizëm;
Populli ta ka dhënë shumicën dhe jo të gjitha, sepse ke fituar 51 %, por jo edhe 49 % të tjera. Andaj, diçka, respektivisht presidenti, i përket 49 %-shit, pra opozitës.
Mbrëmja e 28 prillit 2026, subjektet politike PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN, mbajtën mbledhjet e kryesive të tyre. Paralajmëruan se nëse presidentja zgjidhet sonte, në orët e fundit të afatit, ne do të dalim në rrugë, për të protestuar, në mbrojtje të demokracisë!
Kjo ngjalli shqetësim në popull, sepse lajmi u dha nga elementë të kriminalizuar të këtyre subjekteve. Edhe pse thirreshin në emër të demokracisë, drejtësia ka konfirmuar se pikërisht ata nuk kanë kursyer plumba kundër demokracisë! Skajmërisht e trishtme, por, mjerisht, krejt e vërtetë.
Një Kushtetutë me halle, e imponuar nga të huajt, por e pranuar nga zyrtarët tanë të shantazhuar me dosje penalizuese, nuk përcakton shprehimisht nëse nuk i takojnë tri postet kryesore partisë fituese!
Mungesa e argumenteve e dështoi edhe retorikën e Albin Kurtit në Kuvend. Rrjedhimisht, edhe strategjia e qëllimshme për kapital politik, me dështimin e zgjedhjes së presidentit, atë fat pati. LVV e hapi dhe e mbylli Kuvendin me fjalime fushatore dhe boshe. E filloi Albin Kurti, e pasoi Albulena Haxhiu, e vazhdoi Glauk Konjufca, për ta përmbyllur Hekuran Murati.
Ishte katërshja e parë simpatike e lidershipit të LVV, të cilët, përgjatë natës së 28 prillit 2026, zhgënjyen shumë shqiptarët. Ndonëse ishin një etnik në sallë, vetëm deputetët dhe ministrat e LVV me aleatë, u ra për hise të dilnin në foltoren e Kuvendit disa herë. Qëllimi ishte qartësisht i lexueshëm: në shërbim të fushatës zgjedhore, për t’ia hedhur fajin opozitës, se ajo po e dëgon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, dy herë brenda 4-mujorit?!
Shqiptarët, të mësuar me aftësitë e tyre komunikuese me publikun, paria e LVV asaj mbrëmjeje fliste përçart, të vetëdijshëm se nuk përçonin mesazhe të duhura në opinion. Kjo ma kujton mësuesin tim në Universitetin e Tiranës, Dritëro Agollin, kur na mësonte: "Kur të mungon fakti, mos fillo shkrimin, sepse do të jetë i dështuar". Duke parë strategjitë e Albin Kurtit për t’i mbajtur tri postet kryesore, ai shpërfaqi hapur mosdashjen e kompromisit institucional. Dhe kjo tregon papërgjegjësi të rëndë të partisë fituese!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".