Pa provincialistët e fisnikët e mesjetës

Pa provincialistët e fisnikët e mesjetës
Pa provincialistët e fisnikët e mesjetës

Shefik Shkodra

  • 23 March 2021 - 14:48

Shkruan: ANALIST: Shefik Shkodra

 S’është çudi që po ankohen partitë e dështuara, si një pakënaqësi e si diçka që s’është me procedura e parime bashkëpunimi. Të dështuara në qeverisje sipas veprës së tyre, të dështuara edhe në zgjedhje.

Ashtu i kanë anëtarët e tyre që të ankohen sa herë që nuk shkon puna në vijën e tyre.

Sa herë që u prishet “grazhdi” dhe rrjedha e leverdisë. Vetë po rrëfehen se që nga pas lufta janë përfaqësues të “popullit”, përkatësisht të provincës. Dhe çka u lejohet atyre, nuk i lejohet tjetërkujt.

Dhe po shihet, sa fise janë inkorporuar në ato partitë e tyre. Mund të jenë pak si të vrazhdët ndaj të tjerëve dhe ndaj qytetarëve, por s’ka dert se ata/ato janë ekstra të privilegjuar. Kështu po përpiqen të gjejnë “kime në vôe” edhe kur është shumë e qartë se nuk kanë elektorat. Por do të duhej që as ata në numër që i kanë të mos i respektonin disa prej tyre.

 Shumë kureshtare t’i dëgjosh duke shprehur helmin më të madh ndaj njerëzve të vet – shqiptarëve se sa, ndaj atyre që ia kanë shtypur kokën këtij populli, pavarësisht nga cili kënd i Kosovës.

Janë të dëshpëruar në maksimum. Atë që nuk e kanë bërë vetë asnjëherë për gjatë mandateve të tyre, që prej fillimit, përpiqen t’u kërcënohen tash këtyre të rinjve me sugjestione.

Dhe atë që e kanë bërë mbrapshtë e që i kanë ngrehur si kurthet më të mëdha të sotmes e të nesërmes, po përpiqen që t’ua lënë si “këmbët e arushës” këtyre të sodit sikur këta ta kishin nënshkruar kundër kushtetueses Bashkimi i Komunave Serbe, kufirin në mes Kosovës dhe Malit të Zi, e kush di sa e sa marrëveshje të tjera që nuk janë të njohura për opinionin publik.

Po kur u është tërhequr vërejtja në ato kohët e tyre se, nuk ka konsensus për shumë çështje që quhen shtetërore e  kombëtare, zonj/zotërinjtë nuk kanë dashur të dëgjojnë. Si kapadai. Si feudalë. Si pronarë të Vilajetit. Si asgjë hiç.

E nga hiçi s’mund të del diçka e pranueshme. Partitë që e “hërgatën” dhe ia luajtën krejt themelin këtij shteti të ri, të mezi pritur me mundime, nuk duan të bëjnë reformë, brenda për brenda tyre. Duan të jenë të përjetshëm, përtej vdekjes së tyre. Me të njëjtin ritëm, me të njëjtat melodi, me të njëjtit këngëtarë.

Po aq (disa) sa janë të gërditshëm nuk mund ta dinë vetën, kur dalin dhe flasin para opinionit të gjerë, as nuk dinë çka të thonë, as nuk dinë të shprehen në gjuhë amtare, p. sh. një kryemadh (s’ka rëndësi cili dhe i cilës parti), mund të jetë nga shumë parti, thotë: “...në konsistencën e qëndrimet e tij...”, nuk di çka ka dashur të thotë me “konsistencë dhe qëndrim”.

Diçka rrangatanga, tinguj llamarine në erë! Këta edhe gjuhën e përplasin si u teket. Mendojnë se atë që e thonë ata krejt qytetarët e përtypin, sikur s’di askush gjë prej gjëje më shumë. Automatikisht duhet të distancohen njerëzit prej injorantëve, e që e mendojnë veten shumë “azgana e kompetentë” për të gjitha.

Lodhen disa duke u përgatitur të flasin diçka deri në çështje private familjare dhe mbushen frymë, edhe pse në kushte, kur do të rregulloheshin shumë të tjera çështje, ndoshta mund të bisedohet edhe për këtë dhe të ngjashme.

Por, asnjëherë nuk është ndonjë masë politike se, çfarë gjuhe flasin familja...Mendjemëdhenj. Të pa edukuar. Patriotë të rrejshëm! Sharjen e kanë në maje të gjuhës. Kërkojnë provincializëm e prejardhje fisesh, se me bajraktarizma e me nepotizma e kanë kaluar kohën, duke e mbajtur këtë popull në kthetrat e ngordhëta. gjithnjë duke u thirrur në emër të elektoratit.

Në emër të luftës, në emër të patriotizmit të madh e të veçantë, në emër të I. Rugovës, kur dikur ia dëshironin vdekjen sa më të shpejt. Shumë perfid. Megjithatë, perfiditeti, bajraktarizmi nuk u aprovua kësaj herë dhe ranë në ujë teoritë e tyre autodidakte dhe çorba pa kripë e tyre, që çdoherë ia shtronin këtij populli.

 Personalisht më gëzon fakti, që qytetarët tanë u bindën se disa figura të disa partive dhe tërë ato parti, i kanë banalizuar edhe paraqitjet, duke mos llogaritur më edhe dëmet dhe pasojat mizorisht që ia kanë sjellë Kosovës.

Të mësuar me një takt deri më tash, nuk kam besuar se do të bëhet kthesë një herë, sikur rasti i 14 shkurtit të vitit 2021. Ende “thyejnë zhegra” LDK dhe PDK, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e presidentes. Po. Është e qartë se përfitimet materiale e politike ishin në anën e tyre deri më tash, dhe në anën tjetër rrënimet, i bënë këto dy parti, për ç’gjë duhet dhënë ndonjë herë përgjegjësi. 

Dëshiroj që sapo të zgjedhurit për një mandat që prej tash, t’u shkojë puna e mbarë. Me kujdes, me tolerancë, të durueshëm ndaj provokimeve, të qëndrueshëm e me sakrificë, për ta nxjerrë këtë vend nga humbëtirat, por edhe me “inat” që të mos aprovohet parulla se, shqiptarët nuk mund ta qeverisin vetë vendin. Kemi besim edhe në politikën e brendshme dhe atë të jashtme që do ta bëjnë këto kuadro. Duhet të pranojnë sugjerimet për çfarëdo çështje me rëndësi shtetërore.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".