Opozitarët e inkriminuar kundër interesit të shtetit

Opozitarët e inkriminuar kundër interesit të shtetit

Gani Qarri

  • 29 May 2021 - 08:59

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

Për habinë e madhe të të gjithë qytetarëve dhe votuesve të vendit të cilët me shumicë të theksuar ia dhanë besimin Qeverisë së re për ta udhëhequr shtetin tonë të brishtë, partitë e inkriminuara që e sollën Kosovën në këtë gjendje të rëndë, duke e izoluar nga gjithë bota dhe lënë qytetarët tanë, si të vetmit në rajon edhe pa liberalizim të vizave, njëjtë si presidenti kriminel serb Aleksandër Vuçiqi, edhe këto e dinë paraprakisht se kush do të jetë fajtori kujdestar, për çdo gjë dhe të gjitha, përfshi edhe sfidën e bisedimeve me Serbinë. Madje ato pa fije turpi, të gjitha si një, akuzojnë kryeministri Kurti, se kinse është edhe i papërgatitur dhe po i frikohet dialogut, vetëm pse ai ka ndaluar aventurat antikombëtare dhe antishtetërore të Thaçit për ndarjen e Kosovës dhe faljen e Veriut me pjesët më vitale të vendit tonë Serbisë okupatore dhe hegjemoniste.

Megjithatë siç e ka në dijeni tanimë i gjithë opinioni publik, Albin Kurti ka disa kohë që nuk është më vetëm kryetar i VV-së, por edhe kryeministër i vendit , i cili përkundër akuzave të shpeshtuara me dhe pa argumente kundër tij dhe Qeverisë së re, nga opozita, e ka kuptuar se si i pari i Qeverisë, duhet të jetë shumë më i përmbajtur dhe tejet i matur në përgjigjet dhe qëndrimet e tij, megjithëse jemi dëshmitar që plot ish zyrtar dhe udhëheqës të inkriminuar të partive opozitare, vazhdimisht bëjnë fushatë arrogante dhe të paargumentuar, në përpjekje se kush do ta atakojë më shpesh dhe sa më shumë kryeministrin aktual të vendit, vetëm pse edhe ai nuk është i korruptuar e i përlyer në korrupsion e krim të organizuar si ata. Por i vetëdijshëm se vështirësitë dhe çështjet afatgjata politike në interes të vendit, të cilat tash e sa kohë e përcjellin Kosovën, mund të zgjidhen shumë më lehtë në sinkron me opozitën, si dhe faktin se momentet nëpër të cilat po kalon aktualisht Kosova, kur vetëm edhe pak kohë na ndanë nga rifillimi i bisedimeve me Serbinë, ku vendi duhet të dalë me një qëndrim unik, për përballje sa më të lehtë të sfidave me këtë shtet okupator, ai me të drejtë nuk dëshiron ta rendojë pa nevojë, gjendjen edhe më tepër, duke përkeqësuar raportet me opozitën dhe në vend të kësaj i fton partitë opozitare për bashkë përgatitjen e dialogut, si dhe bashkëpjesëmarrjen e tyre në bisedime me Serbinë, gjë që është plotësisht e drejtë dhe tërësisht e arsyeshme, për një burrështetas të njëmendtë.

Madje një nga çështjet më të vështira, që prej vitesh, ende rëndon procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa dyshim është edhe tema e famshme, për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve, për të cilën thuhej se ishte paraparë, të bisedohej në takimin e Uashington para gati një viti, por me ngritjen e aktakuzës nga Gjykata Speciale kundër Thaçit dhe zbritjen e tij nga Aeroplani me të cilin ai ishte nisur i vetëm dy tre dit para delegacionit të Kosovës, fatbardhësisht shpëtoi Kosova nga ndarja.

Ndaj të dëshpëruara për dështimin e kësaj aventure, humbjen e posteve shtetërore dhe përfitimeve marramendëse që kishin me kapjen dhe sundimin arbitrar të shtetit për më tepër se 12-13 vite, partitë e degjeneruara opozitare, në mënyrë që z Kurti të mos marrë serish mbështetjen e Gjermanisë dhe të SHBA-ve për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e dialogut, pa diskutuar më mbi ndarjen e Kosovës, atakojnë pareshtur Qeverinë e re me akuza oportuniste mbi reciprocitetin me Serbinë, të cilat pasi dështuan në zgjedhjet e parafundit, vet kërkonin me këmbëngulje që ta hiqte edhe Qeveria Kurti-1.

Të gjitha këto veprime, ato i bëjnë me tendencën që ai ta rivendosë serish taksën kundër Serbisë, në kundërshtim me porositë e SHBA-ve që të mos ndërmarr një veprim të tillë mu në prag të bisedimeve, në mënyrë që z.Kurti të mos gëzoj më përkrahjen amerikane dhe rrëzohet nga qeverisja, për tu rikthyer ato në pushtet dhe mbajtur sekrete marrëveshjet e fshehta me Serbinë kundër shtetit tonë të brishtë, si dhe çuarjen përpara të ndarjes së Kosovës sipas projekteve famëkeqe Thaçi-Rama-Vuçiq, që nënkuptonte shuarjen e shtetit të Kosovës.

Kështu që megjithëse Qeveria e Kurti nuk u është përgjigjur kritikave të drejtpërdrejta të opozitës, përmes kërkesave dhe akuzave drejtuar Qeverisë dhe kryeministrit Kurti lidhur me reciprocitetin me Serbinë, ato po mundohen që ta lajthitin Qeverinë Kurti, duke i kërkuar atij, riaktivizimin e reciprocitetit me Serbinë, masë që e pati vendosur ish qeveria e klanit Pronto- PANA- e koalicionit PDK-AAK-NISMA- AKR, dhe pas presionit të vet këtyre partive, si dhe të faktorit ndërkombëtar, qe detyruar ta hiqte në mënyrë të përshkallëzuar edhe Qeveria Kurti 1.

Për aq më tepër, akuzat oportuniste për mos futjen reciprocitetit, janë më tepër përpjekje demagogjike e opozitarëve të tanishëm dhe ish qeveritarëve të inkriminuar, në mënyrë që të krijojnë sa më shumë mjegull në opinion, për të shpërqendruar vëmendjen e drejtësisë së reformuar dhe Qeverisë së re, nga lëshimet skandaloze, në marrëveshjet konspirative të Thaçit me Vuçiqin, në dialogun me Serbinë, si dhe të kaluarën e tyre kriminale në qeverisjen e vendit, për të blerë kohë dhe shtyrë sa më gjatë zbardhjen dhe nxjerrjen në shesh, të aferave të tyre korruptive, mafioze e kriminale për të cilat herët a vonë, do të detyrohen të dalin para gjyqit dhe marrin dënimin e merituar për veprimet e tyre të kundërligjshme antishtetërore dhe antikombëtare.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".