Arrest shtëpiak apo paraburgim

Arrest shtëpiak apo paraburgim

Gani Qarri

  • 18 July 2021 - 10:08

Shkruan: Gani Qarri

Nisur nga dy udhëtimet që Gjykata Speciale i lejoi Kadri Veselit, për të vizituar dy herë të atin, familjen dhe Kosovën, si dhe pjesëmarrjen e tij treditëshe, në ngushëllimet familjare, me rastin e vdekjes së të atit, duke takuar përveç nënës e bashkëshortes me fëmijë edhe xhaxhain dhe hallën, edhe pse njëjtë si Thaçi, edhe Veseli vazhdon të mbahet në paraburgim nga Gjykata e Hagës si i dyshuar për krime të luftës, dëshmon se nëse Gjykata Speciale, vendos të bëjë ndonjë lëshim dhe miratoi kërkesën e ndonjërit nga të burgosurit, për arrest shtëpiak, shumë më e gatshme është, që këtë t`ia mundësoi Kadri Veselit, se sa vet Hashim Thaçit apo ndonjë të arrestuari tjetër në Hagë.

 

Kjo për vet faktin se Thaçi për më tepër se një dekadë, ushtroi të gjitha pozitat më të larta në Kosovë dhe po ashtu, për më tepër se një dekadë me radhë, në shërbim të tij, kanë qenë të gjitha institucionet dhe entet shtetërore të Kosovës, pa asnjë përjashtim, pjesa më e madhe e të cilave edhe pas burgosjes nga Specialja, mbeten besnike ndaj Thaçit, pa harruar këtu organizatën ilegale të SHIK-ut, që vazhdon të operojë gjysmë-ilegalisht nën direktivat e elementëve të klanit PRONTO dhe PDK-së, kështu që Gjykata Speciale, duhet të posedoi arsye të forta, përderisa deklaron se do të ishte fatale lirimi apo arresti shtëpiak i Thaçit, qoftë edhe në një vend të tretë, si Sllovenia.

 

Kjo dëshmon se emri i Hashim Thaçit nuk nënkupton thjeshtë vetëm personalitetin e dyshimtë të një ish figure të diskredituar politike në vend, të arrestuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, nga Gjykata Speciale në Hagë, por një sistem të tërë manipulativ shtetëror, ende veprues dhe shumë aktiv në vend, i cili shtrihet e zgjerohet edhe sot, në gjithë Kosovën.

Ndaj nëse Thaçi do të vendosej në Slloveni ku mbanë lidhje të ngushta me Janez Janshën e ndoshta edhe me ndonjë politikan a strukturë tjetër konspirative në këtë vend, si dhe ndikimi që ai ende ka në Kosovë, rreziku mund të jetë tejet i madh, jo vetëm për dëshmitarët, por edhe për tërësinë territoriale të vendit, si dhe vet ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Për aq më tepër, edhe pas burgosjes së Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale, nga bëmat dhe e kaluara drakonike e tij, nuk janë distancuar asnjëherë deri më tani, jo vetëm PDK por as partitë filiale të saj, si; LDK, AAK, NISMA, etj, përfshi Listën serbe e cila ka marrëdhëniet më të mira dhe kontaktet më të afërta me vet Hashim Thaçin.

Kështu që nisur nga fakti se dëshmitarët e mundshëm kundër tij, të cilët pritet ti ofrojnë Gjykatës Speciale argumentet vendimtare për zhvillimin e gjykimit ndaj Thaçit, do të ndiheshin të rrezikuar, lirimin me kusht apo arrestin shtëpiak, qoftë edhe në një vend të tretë të Hashim Thacit e kundërshtoi fort edhe vet Gjykata Speciale, qoftë edhe në një shtet të tretë, që garanton mbajtjen e tij në arrest shtëpiak.

Me këtë rast, duhet cekur edhe faktin se cilido vend i tretë qoftë, ai nuk u nënshtrohet rregullave të Speciales dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, madje siç dihet botërisht brenda dhe jashtë vendit, Thaçi ka qenë edhe mbi vet shtetin e Kosovës, ndaj ky ishte dhe shkaku kryesor, që bashkësia ndërkombëtare është detyruar ta formojë një gjykatë të veçantë si Gjykata Speciale, dhe ta vendos atë sa më larg Kosovës.

Në Gjykatën Speciale ende ekziston bindja dhe dyshime të bazuara se pikërisht ndikimi i politikës së inkriminuar vendore, vepron në sinkron jo vetëm me SHIK-un ilegal por edhe me vet BIA-në e Serbisë, të cilat bashkërisht riprodhuan dhe shpërndanë edhe dosjet e Gjykatës së Hagës, siç kishim rastin ti shihnim skenat e parapërgatitura në organizatën e veteranëve....

Madje përderisa Gjykata Speciale vepron nën juridiksionin e ligjeve dhe shtetit të Kosovës, kjo nuk e obligon, asnjë nga shtetet tjera të rajonit, që tu nënshtrohen rregullave dhe ligjeve të Kosovës, e siç dihet, këtyre ligjeve nuk u janë përulur as përshtatur kurrë, as vet Thaçi me shokë.

Ndaj kryeprokurori i speciales, Jack Smith në dokumentin e dërguar në emër të kundërpërgjigjes ndaj mbrojtjes së Thaçit, thekson se një shtet i tretë nuk ka fare për obligim t’u përmbahet rregullave të Dhomave të Specializuara, të cilat veprojnë nën juridiksionin e shtetit të Kosovës,dhe kjo do t’i mundësonte Thaçit të komunikonte lehtësisht, jo vetëm me familjarët, por dhe këdo tjetër, përfshi element të SHIK-ut dhe ndonjë organizate tjetër konspirative, të cilat ende veprojnë lirshëm në Kosovë.

 

që siç ceket decidivisht edhe në dokumentin e kryeprokurorit të speciales, z. Jack Smith, lirimi i Thaçit qoftë edhe me kusht, në ndonjë vend të tretë, komprometon tërësisht kushtet e monitorimit nga ana e Dhomave të Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar, kur dihet fakti se për Thaqin, është në funksion një sistem i tërë veprues, ende shumë aktiv në Kosovë, i cili edhe pas arrestimit të tij nga Specialja, vazhdon të ketë ndikim të madh në politiken e inkriminuar kosovare dhe institucionet e saj.

 

Ndaj me zhvendosjen e tij, nga paraburgimi në arrest shtëpiak, do të jene të rrezikuar jo vetëm dëshmitarët e mundshëm, por edhe tërësia territoriale dhe vet ekzistenca e shtetit të Kosovës, ndarjen e të cilës ai do të përpiqet ta jetësoj dhe qojë deri në fund, me çdo kusht, edhe nga arresti shtëpiak, në mënyrë që ta shpëtoj veten, nga masat ndëshkuese të Gjykatës Speciale, me të cilat nëse vërtetohet aktakuza e ngritur kundër tij, mund të shndërrohen në dënim kapital me shumë vite burg, për Hashim Thaçin në Hagë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".