Shteti juridik sipas opozitës, ka qenë aparat vetëm për dirigjim

Shteti juridik sipas opozitës, ka qenë aparat vetëm për dirigjim
Shteti juridik sipas opozitës, ka qenë aparat vetëm për dirigjim

Shefik Shkodra

  • 02 April 2022 - 09:12

Shkruan: ANALISTI - Shefik Shkodra

Nuk kalon një ditë pa ndonjë akuzë kundrejt Qeverisë aktuale nga njerëzit në opozitë. Nuk po munden të qetësohen zyrtarët e kësaj opozite. Nuk po dëshirojnë shtet të Kosovës, shtet juridik, apo vërtete është diç problematike nga kjo qeveri, që faktikisht e praktikisht nuk shihet për asnjë sektor si jonormale. Kështu sipas atyre që po i deklarojnë për ditë të njëjtat çështje, na duket një banalitet dhe jo seriozitet.

Shteti juridik qysh e kanë menduar disa parti ka qenë aparat vetëm për dirigjim, të cilat kanë fjetur rehat pas çdo afere që e kanë shkaktuar, qoftë ekonomike, qoftë politike. Tash njëri sugjeron që të ngrihej kapaciteti ekonomik, sepse ka rënë shumë, janë ngritur çmimet, por nuk e gjen çelësin si do të duhej. Tjetri flet për një politikë që do të duhej t’u përshtatet atyre dhe të jenë azhur qeveria me dialogun Serbi – Kosovë, të cilin dialog e dëshirojnë ashtu si e kanë zhvilluar ata një kohë, e i cili po del se ishte tërësisht në disfavor për Kosovën. Edhe për çështjen ekonomike, inkuadrimin në punë të njerëzve, sidomos të rinjve, e shkuan njëzet vite, por pa ndonjë përpjekje në këtë drejtim. Kemi thënë, se, veç kanë ndërtuar banesa nëpër qytete, edhe atëherë e aty ku nuk ka qenë mundësia. Me arsimin ka luajtur, si diçka që u nevojitet atyre, edhe me shëndetësinë, edhe policinë e gjyqet e kanë përdorur vetëm për interesa të tyre.

Tash opozita (PDK, AAK, LDK, etj.) janë ngritur në maje të gishtave dhe po thërrasin në mënyrën e tyre për akuza ndaj qeverisë dhe institucioneve të zgjedhura. Shpeshherë me sharje e etiketa të ndryshme, duke i inkuadruar edhe mediat e shumta. Ultimatumet dhe kërcënimet i veshin me prova dhe fakte jo të sinqerta. Kur nuk gjejnë asnjë fakt, u drejtohen pozitës: Ju nuk keni luftuar. Na e kemi çliruar këtë vend, etj. shumë banale janë këto përsëritje. U revanshohen njerëzve, sikur të ishin armiqtë e këtij populli. Sidomos ndaj kryeministrit, Albin Kurti. Është shumë e arsyeshme kur opozita kritikon, sugjeron, këshillon dhe vlerëson punën e qeverisë, në mënyrë që të korrigjohet në ato çaste, për çfarëdo veprimi që nuk është me vend. Por, kur debatet janë gjithnjë e më të pa qëndrueshme, para opinionit publik, më duket si disa seri filmike me përmbajtje të përsëritshme dhe pa ndonjë element të ri, për të cilin qytetarët do të ishin të interesuar për ta.Pengimi i Qeverisë aktuale me kërcënime e shantazhe për të mos vepruar në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këtu është pika më delikate për opozitarët, ata/ato që po e shajnë çdo njërin e pozitës dhe të tjerët.

Ata nuk duan të punojë kjo qeveri aktuale sipas programit të saj, por sipas rekomandimeve të disa opozitarëve. Pse? Ndoshta është  thënë disa herë dhe qytetarët, tashmë e dinë ku po u dhembë. Me protesta e grevë të përgjithshme, por edhe në mënyra të tjera, kërkojnë që të vendosë qeveria çështjet e ndjeshme. Opozita nuk do të duhej të futet në kthetrat e disa njerëzve, të cilët nuk ia njohin vlerën asnjërit sektor të qeverisjes së vendit. Nuk kanë vizion për të ardhmen e vendit. Nuk e kanë interesin e përgjithshëm të Kosovës. Nuk duhet të përdorën Sindikatat për të rrënuar atë që dikush përpiqet ta rindërtojë natë e ditë. Në Kosovë pas njëzet e sa viteve, bëhet rindërtimi i institucioneve të shtetit. Dhe bien opozita e të tjerët në kahe të gabuara.

Kështu si ndodhi me atë Sindikatën e administratës së gjykatave. Kështu po kërkohet Ligji i pagave për arsimtarët, si kërkesë ultimative, por jo vetëm kaq, po përpjekja paralele në valët të njëjta sikur për SBASHK-un, është edhe për rritjen e pagave të Veteranëve të luftës. Këto janë kërcënimet në rënd të parë të AAK dhe të PDK-së. Këto janë recitimet e fundit të opozitës kundër pozitës. Jemi shumë të vetëdijshëm se, pagat edhe në arsim e edhe për Veteranët e luftës është e nevojshme që të rriten, por në mënyrë permanente ndoshta, pa ndonjë nguti e me aq siklet. Ishin të pranuar rreth gjashtëdhjetë mijë Veteranë të luftës në kohën kur R. Haradinaj ishte kryeministër.

Se a është numër i tepërt, apo mungojnë edhe të tjerë që nuk janë futur në regjistër, këtë nuk ka mundur ta thotë zyrtatirsht askush deri më tash. Nëse një qeveri paraprake ka vendosur për një çështje, do të duhej të pranohej edhe prej atyre tjerave të ardhshme. Ajo bëhet ligj dhe mbrohet me ligj. Por, nëse është bërë gabim, është lajthitje për mosdije, apo për shkaqe të tjera, kërkohet përgjegjësi dhe atëherë e drejta kalon për korrigjime dhe vendosje me ligj gjithashtu te institucionet tjera aktuale. Paralajmërimi i Ramush Haradinajt për protestë me Veteranët e luftës, kundër Albin Kurtit (sikur ky njeri është “halë në sy” te këta opozitarë), është një paradoks dhe fare demokratike.

Është punë që duhet të shikohet pak më për së afërmi. Është i qëlluar ky farë ultimatumi “qare s’e ka pa bërë këtë Albin Kurti!” Pse mu tash duhet të bëhet diç e tillë “paqare”? Kujt po i shërben kjo “paqare”? Mund t’ia bëjmë një pyetje vetvetes: Pse Ramushi i AAK-ës do të jetë së bashku me veteranët në protestë për të drejtat e këtyre luftëtarëve? Është ndjeshmëri e veçantë e tij, apo ka diçka tjetër? Qeveria ka për alternativë, t’i fusë veteranët në listë për Pagat, (jo për shkak të ultimatumeve), por nëse nuk ka verifikime deri në këtë kohë për këta veteranë, dhe e dyta, po qe se ka verifikime, ankesa nga të tjerët, atëherë le të kalohet në regjistër real aktual, komision që do të duhej t’ishte marrë me këtë çështje.  

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".